Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nderë të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka ndarë të martën dekorata presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të veçantë i ndau titullin hero i Kosovës, Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes legjendari Jashari nga Prekazi, si dhe dekoratën “Urdhri i Lirisë” për familjen Jashari.
Osmani ndau urdhrin hero dhe heroin e Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, derisa tha se lufta nuk ka qenë vetëm e burrave por grave.
“E tillë është familja Jashari e cila është themeli mbi të cilën u ngrit liria e Kosovës. Një moment i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq. Historinë e njerëzimit rrallë herë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjt të lirisë duke u bërë simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar, si dhe motiv për mijëra ushtarë të UÇK-së. Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998 Jasharët nuk u thyen asnjëherë dhe nuk u zmbrapsen asnjëherë. Ata përqafuan pavdekësinë….Sot titullin hero do t’ia ndajmë Shaban Jasharit. Atij që inspiroi familjen e tij, kryefamiljarit të familjes Jashari dhe kryefamiljarit të të gjithë familjes së madhe të quajtur Kosovë. Deri më sot familja Jashari si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime nuk ishte dekoruar në tërësi për heroizimin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Prandaj kam nderin që në emër të popullit të Kosovës do të dekoroj familjen Jashari në tërësi….Lufta nuk ishte vetëm e burrave ajo ishte betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Llavdrovci, Yllka Domi, Lumnije Rakaj, Jehona Rakaj, Emsale Franku, Mukadeze Muhaxheri dhe shumë gra të tjera sakrifikuan po aq sa edhe burrat, prandaj edhe sot po marrin vendin që i takon në histori duke iu ndarë urdhrin heroinë e Kosovës”, tha ai.
Dekoratën në emër të familjes Jashari e pranoi Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit, e cila ishte dëshmitare e sulmit të forcave serbe mbi familjen e saj më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Ajo fillimisht ndau një thënie të Adem Jasharit, axhës së saj dhe heroit të vendit, derisa bëri thirrje që shqiptarët mos të pranojnë kurrë përçarjen.
“Jam e nderuar që sot jam në mesin tuaj, për nder të 17 vetorit të Pavarësisë, festën e madhe për gjithë shqiptarët. Duke qenë se prezenca ime lidhet me atë që përfaqësoj, më lejoni ta lidhë këtë fjalim me një thënie të axhës Adem: ‘Ndoshta edhe fitohet liria me laps, por neve në Kosovë na mungojnë varrezat e dëshmorëve’. Këtë ia kishte thënë profesorëve të Akademisë Ushtarake në Shqipëri në vitin 1991, pas vizitës që ia kishte bërë kompleksit të dëshmorëve dhe monumentit ‘Nëna Shqipëri’ në Tiranë. Kjo thënie i jep kuptim dhe dedikim si komb për çlirimin e Kosovës…Po e përfundoj këtë fjalim me thënien e axhës Rifat, që shumë shpesh e thotë: Kur kombi shqiptar është i bashkuar, neve na flladitet zemra. Andaj sot, në festën e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe në prag të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së më lejoni të ju përshëndes të gjithë shqiptarëve kudo që jeni dhe t’ua përcjell kërkesën time personale: Mos pranoni kurrë përçarje, jemi një! Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë kombin tonë!”, tha ajo.
Pjesë e kësaj ceremoni ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili tha se Kosova e pavarur është një realitet që s’ka kthim prapa.
“Kosova e pavarur është një realitet që nuk kthehet pas. Është një realitet që është fituar me gjak dhe sakrificë. Liria e Kosovës nuk është vetëm liri për qytetarët e saj, ajo është një garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon. Historia ka treguar se shqiptarët nuk ka qenë asnjëherë agresor, por dashuria jonë për paqe nuk i bën shqiptarët të dobët dhe pafuqishëm. Shqiptarët gjithmonë kanë mbrojtur lirinë dhe vlerat euro-atlantike. E ardhmja jonë është e përbashkët. S’ka Shqipëri të fuqishme pa Kosovën e fortë. S’ka Kosovë të sigurt pa një Shqipëri të qëndrueshme dhe zhvilluar. Ne ecim bashkë drejt Evropës sepse jemi evropian”, theksoi ai.
Krahas këtyre, presidentja Osmani ndau dekorata presidenciale edhe për personalitete nga Shqipëria dhe ndërkombëtarë që kanë kontribuar për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e Kosovës