Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova ka bërë jashtëzakonisht pak në garantimin e një jete të dinjitetshme për personat me nevoja të veçanta.
Osmani deklaroi se ata janë një potencial i jashtëzakonshëm, veçse duhet t’u ofrohen mundësi e të drejta të barabarta.
“Mesazhi i qartë për të gjithë ne këtu është që kemi bërë pak, kemi bërë jashtëzakonisht shumë pak për t’u garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë, dhe ndryshe nga çdo komunitet tjetër, aftësia e kufizuar tejkalon të gjitha identitetet, gjininë, racën, klasën socio-ekonomike, fenë, kombësinë, çdo çështje, prek jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara, shpesh në margjina shumë më të mëdha sesa grupet tjera. E sidomos këtë vit, problemet e lindura gjatë pandemisë po prekin në mënyrë disproporcionale personat me nevoja të veçanta, përfshirë këtu sfidat e qasjes në kujdesin shëndetësor, impakti në shëndet i virusit Covid-19, qasja në arsim dhe papunësia tepër e lartë”, deklaroi Osmani./UBTNews