Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kopenhaga ka rikujtuar se u bënë dy vjet nga sulmi terrorist i Serbisë në veri të vendit, duke kritikuar Bashkimin Evropian se ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të kërkuar përgjegjësi.
“Posa shënuam 2-vjetorin e agresionit serb në shtetin tim, në veri të vendit tim. Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka bërë thirrje për përgjegjësi, por deri tani kemi zero rezultate. Është koha për të vepruar në atë që thuhet – ‘walk the talk’,” deklaroi Osmani para mediave.
Më tutje, ajo theksoi se sot dy janë kërcënimet kryesore të sigurisë për vendet e kontinentit Rusia dhe, në rajonin e Ballkanit, Serbia.
“Ka nevojë për konsistencë nga BE-ja. Nuk mund ta trajtosh njërën si agresore e diktatore, e tjetrën si partnere për paqe,” tha Osmani, duke shtuar se Serbia po ndjek modelin rus në raport me fqinjët e saj.
E pyetur se cili përbën rrezikun më të madh për Kosovën, ajo u shpreh se është kombinimi i të dyjave. “Serbia i ka trajtuar fqinjët si shtete joekzistente, si shtete të përkohshme, ndaj të cilave vepron me agresion. Është kopje e lojës ruse, e për fat të keq, e mbështetur nga vetë Rusia. Rusia flet për ‘botën ruse’, Serbia për ‘botën serbe’ – duke përdorur të njëjtat metoda,” tha Osmani.
Presidentja paralajmëroi gjithashtu se Ballkani nuk njeh boshllëk ndikimi dhe se nëse mungon ai perëndimor, hapësira shfrytëzohet nga fuqitë me interesa të dëmshme.
“Në rajon gjithmonë ka ndikime. Nëse nuk është ai perëndimor, janë fuqitë e trekëndëshit të së keqes, Rusia, Kina dhe Irani. Ata nuk vijnë për bamirësi, por për interesa strategjike. Prandaj, është thelbësore që procesi i zgjerimit të BE-së të ecë përpara, duke marrë parasysh ato vende që përmbushin kriteret dhe që punojnë për vlerat mbi të cilat qëndron BE-ja,” përfundoi Osmani./D.B/EO