UBT News

​Osmani: E nderuar nga ftesa e Trumpit për të përfaqësuar Kosovën në “Bordin e Paqes”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se është ftuar personalisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të përfaqësuar Kosovën në “Bordin e Paqes”, si anëtare themeluese.

Osmani u shpreh se ndihet “thellësisht e nderuar” për këtë ftesë, duke theksuar se Kosova do të jetë krah për krah me Shtetet e Bashkuara në misionin për një botë më të sigurt.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo vlerësoi iniciativën si historike, duke thënë se “lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë”, ndërsa shtoi se këtë, sipas saj, po e bën Trump përmes këtij angazhimi.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova sot qëndron si aleat i palëkundur i Amerikës, duke rikujtuar rolin e SHBA-ve në sjelljen e paqes në vend.

“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka shkruar Osmani.

Exit mobile version