Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka komentuar deklaratën e presidentes së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, duke thënë nuk dëshiron as ta mirëkuptojë deklaratën e saj se nuk duhet besuar Bashkimit Evropian.
Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, tha se si AAK nuk kanë marrë pjesë në seancën ku raportoi presidentja Osmani, të cilën as nuk e kupton.
“Deklarimi i presidentes është i vonshëm, ndërsa deklaratat se nuk mund t’i besojmë Bashkimit Evropian, unë as nuk i kuptoj, as nuk i mirëkuptoje as nuk e di si mundet një institucion si Presidenca, si presidente e Kosovës me thënë nuk i besoj. Qysh nuk i beson një institucioni që i ke ra në dy gjunjë po i kërkon të bëhesh anëtare, po i kërkon të bëhesh vend kandidat, po ia kërkon 800 milionë euro nga plani për rritje, s’jam ka kuptoj këtë qasje, këta njerëz, këta lider institucional duke i përfshirë Vjosa Osmanin, Albin Kurti, këta me të vërtet nuk po e dinë kush janë, a çka janë a, si ka ardhur liria, si është bërë shteti, me kë është bërë, çka janë duke menduar këta, kush janë. Nuk i beson Amerikës ky tjetri, Albin Kurti. Nuk e ka shkel këmba as shtëpinë e bardh, as Pentagonin, kjo tjetra thotë mos i besoni BE së që shumicën e investimeve e kemi me para të taksapaguesve të këtyre shteteve, kush Kosova me 1 milion e gjysmë banor, mosni se kjo është sjellje e papërgjegjshme. Kjo tregon se votën që e kanë marrë nuk ia dinë as kimetin, e as vlerën”, tha ai.