Krerët institucional kanë bërë homazhe në Drenicë në nderim të martirëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë homazheve në Vërboc dhe Shtuticë në 25-vjetorin e masakrave në këto dy fshatra dhe në fshatrat përreth tha se sakrifica e heronjve dhe dëshmorëve të UÇK-së, nuk do të harrohet kurrë.
“Sa më afër lirisë, brutaliteti i forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë rritej e manifestohej në mënyrën më çnjerëzore, ndaj në ofensivën e tyre vranë 280 banorë të kësaj ane vetëm pse ishin shqiptarë. Në mbrojtje të popullsisë civile u vunë vajza e djem të UÇK-së, në krye me komandant Ilaz Kodrën. Përballë egërsisë së regjimit kriminal, Ilazi me 42 bashkëluftëtarë qëndruan me guxim dhe vendosmëri deri në flijim. Ata ranë në fushë të betejës, duke u bërë të pavdekshëm”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti gjatë homazheve në Gllobar, Verboc dhe Shtuticë, ka përkujtuar shqiptarët e vrarë nga këto fshatra dhe zonat përreth, nga forcat policore e ushtarake të Serbisë më 30 prill 1999.
“Para 25 vjetëve janë vrarë 276 shqiptarë, që dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre stërgjyshore dhe gjaku i tyre është sot dritë e lirisë, është rrënjë e Republikës sonë, për çfarë ne u përkulemi përjetësisht dhe shprehim mirënjohjen tonë për këto familje të dëshmorëve që po qëndrojnë gjithnjë të fortë”, tha kryeministri Kurti.
Duke vlerësuar flijimet kaq të mëdha të popullit në fshatrat Shtuticë, Gllobar, Verboc, Baks, e mbarë Kosovës, ai tha se Kosova demokratike me progres të gjithanshëm që po e forcon sundimin e ligjit, sovranitetin, integritetin territorial, por gjithashtu edhe drejtësinë dhe ekonominë, është dëshmia që ia ka vlejtur sakrifica edhe për çlirim edhe për përparim.