Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Osmani dhe Hovenier diskutuan edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka njoftuar se diskutimi për anëtarësimin e Kosovës do të mbahet më 15 prill, nga ora 14:00-15:15, dhe aty do të prezantohet raporti nga raportuesja për Kosovën Dora Baokyannis, Azdeh Rojhan nga Suedia dhe Beatrice Fresko-Rolfo nga Monako.
Pas debatit, pritet të ketë votim dhe nëse Kosova kalon me sukses këtë fazë, votimi që pritet të ndodhë në maj në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të jetë përcaktues nëse vendi do të anëtarësohet në KiE.
Ndryshe, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni i Bakoyannis kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend, sipas nenit 5. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.
Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.