Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet lidhur me deklaratat e saj mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend para deputetëve dhe qytetarëve.
“Kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të diskutohet me SHBA që kjo të mos i lihet në dorë Lajçakut e të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit. Por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetes dhe SHBA-së sesa disa burokratëve nga shtete mosnjohëse”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur edhe për deklaratën e disa ditëve më parë për zbatimin e njëanshëm nga Kosova të marrëveshjes së Brukselit, me garanci nga ndërkombëtarët.
Për të, “më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i presidentit të Amerikës”.
“Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i presidentit të Amerikës… Kam besuar që një draftstatut ku mbrohet kushtetuta, ku mbrohet sovraniteti, ku mbrohen kufijtë dhe ku mbrohet funksionaliteti i shtetit shumë më mirë hartohet nga vetë ne që kemi marr mandat ta mbrojmë Kosovën sesa nga disa ekspertë e jashtëm që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur sovrane e të lirë. Fatkeqësisht ky propozim i imi atë herë ishte goditur në mënyrën më të ulët me lloj-lloj shpifjesh që kam shitur interesat e vendit e ku jemi sot jemi në momentin ku po kërkohet që draftin ta hartojmë ne. Vendimet e duhura duhet të merren në momentin e duhur. Njësoj po ndodh edhe sot me lloj-lloj shpifjesh të ulëta se kinse presidentja paska kërkuar nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes. Kjo është gënjeshtër”, tha ajo.
Osmani shtoi se “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj qëndrojnë dhe do të qëndrojnë fuqishëm mbi vlerat e lirisë, paqes, demokracisë, përderisa institucionet tona vendore të sigurisë dhe mbrojtjes janë të përkushtuara maksimalisht që në bashkëpunim të plotë me aleatët tanë të sigurisë, të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror, si dhe të sigurojnë zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve e të mbrojnë jetën, pronën, lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim”.
Sipas saj, me aleatët do të duhej të diskutohej zbatimi vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO dhe organizata ndërkombëtare.
“Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja, fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalansuar me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se edhe ne nuk duhet të vetë-reflektojmë për rrugën e deritanishme dhe si mund të bëhen gjërat më mirë. Më duhet të theksoj me keqardhje, që propozimet që shpesh kam bërë për përmirësimin e këtij procesi, janë ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta, që nuk i kanë hije askujt në Kosovë”, tha ajo.