Presidentja Vjosa Osmani tha se çështja për rregulloren e BQK-së që përjashton përdorimin e dinarit mund të zgjidhet lehtë në Kosovë në një takim që “zgjat disa orë” me institucionet relevante.
E pyetur për ftesën e BE-së për një takim në Bruksel rreth kësaj teme, Osmani tha se dinari asnjëherë s’është dashur të bëhet çështje e për më tepër përplasje me aleatët.
“Mund ta pyesni vetë zëvendëskryeministrin Bislimi se çka saktësisht është ftesa, por unë mendoj që këto çështje mund të zgjidhen në Kosovë kur ka vullnet dhe janë çështje të thjeshta që s’është dashur kurrë të shkaktojnë mospajtime, por nganjëherë është mungesa e komunikimit me kohë që i shkakton ato”, tha Osmani.
Sipas saj, askush nga aleatët ndërkombëtarë nuk po i kërkon Kosovës që të mos e zbatojë rregulloren e BQK-së, por një plan tranzicioni.
“Kjo që po quhet çështja e dinarit nuk është çështje e dinarit fare. Askush nuk është duke kërkuar që të mos zbatohet rregullorja e BQK-së apo të shfuqizohet ajo. E tëra që po kërkohet është që të ndërtohet një plan tranzicioni që i merr parasysh të gjitha nevojat e qytetarëve të rëndomtë të cilët marrin ndihmë financiare nga Serbia. Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt s’është dashur të bëhet çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët tonë fare. Nëse ka vullnet, me një takim që mund të zgjasë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante – ato që e zbatojnë në praktikë – dhe të dalin me hapa konkretë, bazuar në ligj dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj, sepse kjo çështje pastaj nëse nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen edhe probleme të mëtejme”, tha Osmani në një deklarim për disa medie.
Duke folur pas konferencës rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, Osmani ka deklaruar se përballë agresionit të Serbisë, nevojiten partnerët ndërkombëtarë, ndërsa thekson se Kosova nuk mund ta ketë as një sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunim dhe mbështetje të aleatëve.
E para e shtetit ka pasur kritika edhe për mosvendosje të sanksioneve ndaj Serbisë, përkundër aktit terrorist në Banjskë.
Presidentja Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin ka thënë se e ka dëmtuar qasja e pabarabartë ndaj palëve në këtë proces.
“Procesin e dialogut më së shumti e ka dëmtuar mungesa e bilancit, mungesa e ekuilibrit në këtë dialogut ku njëra palë më këtë rast Kosova është nën masa tërësisht të padrejta, kurse Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme, kjo vetëm jo që e dëmton dialogun por të njëjtën kohe edhe inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë por në suaza më të gjera në relacione më të gjera me miq tanë unë i inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës secilin që merret me politik që të beje çmos që këto relacione në veçanti me SHBA, me Mbretërinë e Bashkuar e me shtetet e BE-së që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetin tonë sepse historia jomë e ka dëshmuar këtë dhe kjo dëshmohet në çdo veprim tonin”, ka deklaruar Osmani
Osmani ka thënë se edhe kaq shumë vite pas përfundimit të luftës, Serbia ka synim vrasjen e qytetarëve të Kosovës. Shembull për këtë merr vrasjen e zyrtarit policor në Banjskë, Afrim Bunjaku.
“Kosova është shtet që natyrisht është demokraci e konsoliduar dhe zhvilluar por mos të harrojmë që kemi probleme të mëdha të sigurisë në kufi. E kemi një shtet që çdo ditë synon agresionin ndaj Kosovës që çdo ditë synon edhe sot 25 vite pas luftës vrasjen e qytetarëve tanë siç e pamë me vrasjen e heroit tonë Afrim Bunjaku. Në këto sfida na duhet aleatet tanë na duhet partneret tanë jo vetëm për t’i falënderuar për atë që kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion për atë se çfarë na duhet për të ardhmen. Nëse dëshirojmë të kemi sukses në rrugën përpara, duhet ta bëjmë këtë më aleatët. Nuk mundet Kosova ta ketë as një sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe pa mbështetjen e aleateve, pra edhe kushtetuta edhe aleatët nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, u shpreh Osmani.