Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti potencuan nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19.
Në takimin që e zhvilluan sot, Osmani dhe Kurti u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete.
“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare. Ata po ashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia COVID-19”, thuhet në njoftim./UBTNews