Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shtetit të Izraelit, Haim Katz, ku ka përshëndetur nënshkrimin e deklaratës së përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit, për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.
Sipas një komunikate të Presidencës, në këtë drejtim, presidentja Osmani ka shprehur edhe nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.
“Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.