Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas raportimeve se serbët po kërcënojnë policët e ri në Policinë e Kosovës e që janë bashkëkombës të tyre.
Duke dënuar kërcënimet e tilla, Osmani ka thënë se të njëjtat vijnë nga Serbia dhe strukturat e saj kriminale.
“Dënoj kërcënimet ndaj oficerëve të PK-së nga Serbia dhe grupet e saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë me policët tanë, ndërsa ata me guxim shërbejnë për një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Osmani.
Të martën u raportua për kërcënime në kanalin rus Telegram.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar mbrëmë në Twitter se zyrtarët nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit.
“I falënderojmë për shërbimin e tyre dhe i urojmë suksese”, ka shkruar Kurti.
Veton Elshani zëvendëskomandant i PK për Rajonin e Veriut ka bërë të ditur policët e rinj serbë në PK janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore – Mitrovica, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.
“46 nga oficerët janë serbë, 17 boshnjakë, 8 romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe 3 turq. Të hënën kanë filluar. Tashmë përmes punës praktike aftësohen shtesë për të punuar në patrulla dhe detyra të tjera të nevojshme. Ata do të trajnohen në faza të ndryshme”, ka thënë Elshani.
Publikimi e emrave të policëve të rijnë serb është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram, të cilat në mbrëmje i dënoi edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Ndërsa deri më tani kanë reaguar edhe personalitete tjera, përfshirë ambasadorin gjerman Joern Rohde.