Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” tre të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në një ceremoni të organizuar në Presidencë, medalja iu dorëzua Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori, të cilët kanë folur publikisht për përvojat e tyre të dhunës nga forcat serbe gjatë luftës.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka vlerësuar guximin e të mbijetuarve për të ndarë me publikun përvojat e tyre dhe ka theksuar rëndësinë e dëshmive të tyre për drejtësinë dhe të vërtetën historike të Kosovës. Ajo ka shtuar se këta individë janë dëshmi e gjallë e luftës për drejtësi dhe kanë kontribuar në ndriçimin e rrugës së drejtë të historisë së vendit.
“Ka momente ku fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’iu përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën e drejtë së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që kanë zgjedhur heshtjen. Ky është një premtim i gjallë se historia nuk do t’i harrojë,” tha Osmani.
Pas dekoratës, Ramadan Nishori shprehu mirënjohjen për përkrahjen nga populli, duke theksuar se ndihej mirë që kishte marrë mbështetje në këtë rrugëtim të vështirë. “E përshëndes gjithë popullin tonë që më ka përkrahur këto ditë,” tha ai shkurt.
Vasfije Krasniqi, një tjetër e dekoruar, bëri thirrje që viktimat e dhunës seksuale të flasin hapur dhe të kërkojnë drejtësi. “Dua të falënderoj për qasjen, angazhimin. Të dashura viktima, ju lutem, ku do që jeni, ka ardhur koha të kërkojmë drejtësi. Lirojeni shpirtin që të mos ia falim Serbisë krimin që ka kryer,” tha Krasniqi.
Shyrete Tahiri-Sylejmani, gjithashtu e dekoruar, theksoi rëndësinë e drejtësisë për arritjen e paqes. “Kur të kemi drejtësi, kemi paqe. Faleminderit për kurajën që na jepni,” përfundoi ajo.