Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka dekoruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi.
Të pranishëm ishin edhe familjarë të pjesëtarëve të FSK-së e ambasadorë të të dyja vendeve përkatëse.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se FSK-ja ka dëshmuar se jo vetëm që është e gatshme t’i mbrojë kufijtë e Kosovës, por edhe t’u dalë në ndihmë shteteve.
“Ushtarakët tanë janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit duke punuar pa ndërprerë për t’i gjetur të mbijetuarit dhe për tu ofruar ndihmë të plagosurve. Përpjekjet humanitare të ushtrisë sonë jo vetëm që i kanë ndihmuar njerëzit tanë por gjithashtu kanë dëshmuar kapacitetet e shtetit tonë për t’u dalë në ndihmë miqve. Veprimet e tyre kanë treguar se ushtria jo vetëm që është e aftë të mbrojë kombin tonë ndaj kërcënimeve të jashtme, por gjithashtu është e përkushtuar për t’i ofruar mbështetje edhe kombeve mike”, tha Osmani.
Ndërsa, ambasadori i Turqisë në Kosovë, falënderoi autoritetet kosovare për ndihmën e dalë pas tërmetit në shtetin e tij.