UBT News

​Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike, triumf për demokracinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të enjten në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së, Ian Borg. Në takim, presidentja Osmani dhe ministri Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore. Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Borg dhe Maltës si kryesues i sivjetëm i OSBE-së.

Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.

Në njoftim thuhet se në diskutim me ministrin Borg, presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën”, thuhet në komunikatë për media.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Maltës në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla priti në takim kryesuesin e OSBE-së, Ministrin e Jashtëm të Maltës Ian Borg, ku u tha se bashkëpunimi në demokratizim, sundim të ligjit, liri të mediave, avancim të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe siguria në Kosovë dhe rajon ishin temat kyçe gjatë këtij takimi.

Në komunikatë thuhet se Gërvalla pasi e uroi homologun nga Malta për marrjen e pozicionit të ri si kryesues i OSBE-së, shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja, të cilat si qëllim kanë demokratizimin, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Republika e Kosovës është shembull në rajon sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe si faktor stabiliteti, andaj anëtarësimi i Kosovës në OSBE do të forconte edhe më tepër rolin e OSBE-së në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor”, citohet në komunkatë Gërvalla.

Më tej, të dy ministrat folën edhe për procesin e Berlinit, zbatimin e marrëveshjeve dhe hapat përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si alternativë e vetme për të ardhmen e rajonit duke ngritur në pah anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas njoftimit, ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe për situatën në veri të vendit, investimet e qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, respektimin e të drejtave të serbëve lokal dhe veprimet destabilizuese të Serbisë, të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Në fund të takimit Ministrat Gërvalla dhe Borg u dakorduan për hapat e ardhshëm në koordinim të projekteve të përbashkëta.

Exit mobile version