UBT News

​Osmani: Aleatët tanë nuk kanë qenë asnjëherë kundër Kushtetutës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova i ka në krah aleatët ndërkombëtarë, pasi ata nuk kanë qenë asnjëherë kundër Kushtetutës së Kosovës dhe as sundimit të ligjit. E para e shtetit theksoi se rregullorja e BQK-së nuk është kundër dinarit serb, por ka të bëjë me spastrimin e parave dhe parandalimin e korrupsionit. Mirëpo nënvizoi nevojën që në bashkëpunim me aleatët të gjendet një rrugë efektive, përmes së cilës do të informoheshin qytetarët e Kosovës, përfshirë ata serbë për zbatimin e rregullorës së BQK-së.

Osmani në konferencë për media, së bashku me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Kosova ka obligim kushtetues zhbërjen e strukturave paralele, e cila rrjedh edhe nga marrëveshja e vitit 2013 me Serbinë.

Në anën tjetër, ministri gjerman Pistorius tha se rregullorja e BQK-së është legjitime dhe realizueshme, mirëpo nevojitet një afat më i gjatë për zbatimin e saj. Ndërkaq potencoi mbështetjen ushtarake për të garantuar sigurinë në Kosovë.

“Më lëni ta bëjë të qartë, aleatët tanë i kemi në krah, aleatët tanë nuk kanë qenë asnjëherë kundër Kushtetutës së Kosovës, aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit serb, aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit. Përkundrazi, këtë Kushtetutë dhe çdo sukses që kemi arritur, e kemi arritur bashkë me aleatët tanë tradicionalë, përfshirë SHBA’në, Gjermaninë dhe shtetet tjera. Rrjedhimisht, unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në gjetjen e rrugëve shumë efektive nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët e Kosovës se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, e cila nuk është rregullore kundër dinarin, nuk e përmend dinarin, por ka të bëjë me spastrimin e parave, parandalimin e korrupsionit dhe masat tjera”, tha Osmani.

Ministri gjerman i Mbrojtjes në vizitën e tij në Kosovë, bëri thirrje për maturi dhe kujdes në tensionet aktuale Kosovë-Serbi.

“Ne marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes. Kjo është kërkesa e ditës. Në perspektivë të gjitha palët dhe Kosova, duhet të kontribuojë në shtensionimin e situatës. Mirëpo këtu edhe roli i Serbisë është i veçantë për të cilën ne do të kemi kujdes edhe në të ardhmen….Ne jemi të vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bën pjesë edhe masat legjitime sa i përket vendosjes së euros si valutë e vetme, por nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme që mos të ketë mosinformim…E kuptojmë vendimin që është legjitim dhe i arsyetueshëm, mirëpo nëse kemi një afat vetëm prej 1 muaji dhe përmes tij i shkaktojmë vështirësi komunitetit pakicë, atëherë kjo mund të kontribuoj më pak në stabilitetin në vend. Mendoj se është më mirë të realizohet rregullorja por të jepet një afat më i gjatë për zbatimin e saj”, tha ai.

Në anën tjetër, presidentja Osmani duke folur për aksionet e Policisë së Kosovës në zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, tha se vendi ka obligim që strukturat që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës të mos funksionojnë.

“Në vitin 2013, është nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është ratifikuar në parlament, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, ku ndër të tjerash parashihet që Serbia ka detyrim t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale apo paralele në Kosovë. Që nga atëherë Serbia jo vetëm që nuk ka ndërmarrë masa që t’i zhbëjë këto struktura, por në veçanti strukturat ilegale të sigurisë i ka fuqizuar deri në masën që sot ato janë shndërruar në banda, të cilat organizojnë edhe sulme terroriste kundër Republikës së Kosovës. Kosova ka obligim kushtetues, ka obligim ndërkombëtar që rrjedh nga marrëveshjet e Brukselit dhe Kosova ka obligim ligjor që këto struktura që mund ta rrezikojnë sigurinë kombëtare, mos t’i lejojë të funksionojnë dhe të sigurohemi që të gjithë qytetarët tanë, pa dallim, përfshirë serbët, të integrohen në shoqërinë, institucionet tona publike dhe të respektohet kushtetuta”, tha ajo.

Osmani sërish theksoi se nga dëshmitë që i marrin nga institucionet e sigurisë, Serbia po vazhdon planifikimin e sulmeve të reja terroriste në Kosovë.

“Hetimet zyrtare konfirmojnë se prapa këtij sulmi terrorist dhe akti agresioni kundër Republikës sonë qëndron Serbia dhe institucionet e saj, nga organizimi, te furnizimi me armatim dhe pajisje deri te financimi dhe trajnimi i terroristëve në bazat e tyre ushtarake. Sot në vend që Serbia t’i ekstradojë terroristët, vazhdon t’i inkurajojë ata për të destabilizuar Kosovën dhe rajonit, derisa për fat të keq, Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga Bashkimi Evropian….Të gjitha dëshmitë që ne i marrim nga institucionet tona të sigurisë tregojnë se Serbia vazhdon të planifikojë sulme të reja. Ajo cka dua t’i siguroj qytetarët tanë se Serbia nuk do t’ia dalë”, theksoi Osmani.

Megjithëse ministri gjerman, Pistorius, tha se Gjermania nuk është duke bërë hetime për sulmin terrorist në Banjskë, tha se Kosova ka mbështetje ushtarake për të garantuar sigurinë, derisa bëri të ditur se një kontingjent i KFOR-it gjerman, do të vjen në Kosovë në pranverë.

“Duam të bëjmë të qartë se ka mbështetje edhe nga aspekti ushtarake për të garantuar sigurinë dhe në anën tjetër ne shohim që dialogu dhe deeskalimi të ndodhë”, deklaroi ai.

Ai po ashtu bëri thirrje që të dialogu Kosovë-Serbi të rinis së shpejti.

“Dialogu duhet të rinis shpejtë sepse vetëm atëherë ja dalim që t’i afrohemi integrimit të Kosovës dhe rajonit dhe këtu bën pjesë edhe zbatimi i katalogut të masave të dakorduara në Ohër, kjo duhet të jetë qëllimi, pasi qëllimi i përbashkët është anëtarësimi i të gjitha gjashtë vendeve të BP në BE. E dimë që çështja e njohjes së Kosovës i vështirëson këto përpjekje esencialisht sepse ka edhe pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, të jeni të sigurt që ne do të ju mbështesim edhe më tej në këtë drejtim”, është shprehur ai.

E pyetur nga gazetarët, presidentja Vjosa Osmani foli edhe për raportet e tij me kryeministrin Albin Kurti, ku tha se qëllimet i kanë të përbashkëta, por metodat për t’i arritur ato mund t’i kenë të ndryshme.

“Qëllimet i kemi të përbashkëta dhe ajo është mbrojtja e kushtetutës së vendit, sovranitetit, shtyrja përpara e sundimit të ligjit në çdo cep të territorit të Kosovës, por njëkohësisht edhe arritja e dakordimit me aleatët tanë sa i përket kësaj çështje. Metodat që i shfrytëzojmë për të arritur këtë dakordim mund t’i kemi të ndryshme por qëllimet asnjëherë”, tha Osmani.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në vizitën e tij të hënën në Kosovë, është takuar edhe me kryeministrin, Albin Kurti dhe homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.

Exit mobile version