UBT News

OSBE: Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ

Misioni i OSBE-së në Kosovë tha se shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin e thellë për vendimin e disa përfaqësuesve të partive politike brenda Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të refuzuar nga miratimi i kërkesës për akreditim të Listës Srpska në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Përmes një reagimi në Facebook misioni thotë se dënon veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhje duke shtuar se veprime të tilla përfaqësojnë një largim të qartë nga standardet zgjedhore të pranuara ndërkombëtarisht.

“Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ, i reflektuar në sjelljen e votimit që shfaqet i nxitur nga interesat partiake sesa nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve”, thuhet në reagim.

OSBE thotë se këto veprime rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të përforcojnë perceptimet se vendimet janë të motivuara politikisht dhe jo të orientuara nga drejtësia, gjithëpërfshirja dhe transparenca.

Misioni i OSBE-së i ka kërkuar KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë të mbajnë profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke garantuar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht për të krijuar praktikën më të mirë ndërkombëtare./S.K/KP/

Exit mobile version