Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin tetor të vitit 2022. Edhe në këtë raport është treguar se rritja e çmimeve ka vazhduar.
Rritja e çmimeve është vërejtur te produktet kryesore ushqimore dhe te lëndët djegëse.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.7% në muajin tetor 2022, krahasuar me muajin tetor 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë të nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, etj. (56.6%); vajra dhe yndyra ushqimore (42.7%); bukë dhe drithëra (29.5%); qumësht, djathë dhe vezë (27.1%); mish (22.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira (21.5%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (20.8%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë, etj. (17.1%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (16.4%); gaz (16.1%); kafe, çaj dhe kakao (15.1%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (14.9%); shërbime hoteliere (13.9%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (11.0%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.