UBT News

Organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje që LVV-ja të mos i bojkotojë disa media

Trembëdhjetë organizata botërore dhe rajonale, që merren me lirinë e medias, kanë thënë se janë të shqetësuara lidhur me vendimin e fundit të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, për të bojkotuar disa kanale televizive gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, që nis më vonë gjatë kësaj jave.

Këto organizata kërkuan që Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje të heqin dorë nga vendimi për të bojktuar disa media në Kosovë.

Ne e kuptojmë se asnjë arsyetim formal nuk është dhënë ndaj këtyre televizioneve për këtë vendim”, u tha në letrën e hapur dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kreu i LVV-së, nga 13 organizata.

Një ditë më herët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilësoi këtë vendim si përpjekje për të “minuar rolin e gazetarëve dhe mediave” për ta mbajtur përgjegjëse Lëvizjen e Kurtit “për politikat e saj”.

Gjatë katër vjetëve të fundit, si Reagim i Shpejtë për Lirinë e Medias [MFRR] kemi monitoruar nga afër zhvillimet sa i përket lirisë së mediave dhe kemi qenë dëshmitarë të rënies së lirisë së medias në Kosovë. Më 2022, Platforma për Siguri të Gazetarëve i Këshillit të Evropës ka vizituar Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve. Përderisa është vërejtur pak progres, misioni erdhi në përfundim se ‘retorika toksike dhe fushatat e shpifjeje kundër mediave, financimi joadekuat i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës minojnë progresin’”, u tha në letrën drejtuar Kurtit.

Organizatat kërkuan që LVV-ja të sigurohet që t’u japë atyre qasje të barabartë në informacionin publik. Ato thanë se të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje që të raportojnë lirshëm dhe drejtë gjatë periudhës zgjedhore.

Duke bojkotuar televizionet tradicionale, minohet e drejta e publikut për t’u informuar dhe roli thelbësor i gazetarëve për të promovuar transparencë dhe llogaridhënie”, u tha në letër./REL/

Exit mobile version