Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), përmes një komunikate për medie, kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me moslejimin e monitorimit të procesit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit nga ana e Komisionit për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Në komunikatë, thuhet se zyrtarët përgjegjës me urdhër të Komisionit për Rekrutim, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e organizatave në fjalë që ta lëshojnë objektin ky pritej të zhvilloheshin intervistat për prokurorët e rinj, me arsyetimin se nuk iu është dërguar këtyre organizatave ftesë me shkrim nga Komisioni për monitorim të procesit dhe se nuk kanë memorandum bashkëpunimi me KPK-në për monitorimin e këtyre proceseve, raporton Betimi për Drejtësi. Por OJQ-të bëjnë të ditur se më 5 shtator kanë njoftuar KPK-në se do të jenë pjesë e monitorimit të procesit të intervistimit, duke ua dërguar emrat e përfaqësuesve që do të monitorojnë këtë proces.
“Kujtojmë se rekrutimi i kandidatëve për prokurorë është një proces tejet i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe si i tillë për shkak të rëndësisë që ka kërkohet që të zhvillohet në atë mënyrë që të gjitha standardet, praktikat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e transparencës duhet të respektohen në plotni nga fillimi i procesit e deri në fund të tij”, thuhet në komunikatë.