Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përshëndet dhe e mirëpret miratimin e rezolutës për Kosovën të Këshillit të Ministrave të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), në sesionin e 47-të të saj, mbajtur në Niamey, kryeqytetin e Niger.
Përmes kësaj rezolute, shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik u bëjnë thirrje vendeve anëtare, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që të veprojnë në njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, duke shtuar se kjo do t’i shërbente paqes në rajon dhe më gjerë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në rezolutë përpos tjerash nënvizohen të arriturat e Republikës së Kosovës në fuqizimin e demokracisë dhe ndërtimin e institucioneve funksionale.
“Po ashtu, në rezolutë përmendet stabiliteti në vend, respektimi i të drejtave të njeriut sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat janë të mishëruar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Organizata për Bashkëpunim Islamik, gjithashtu mirëpret bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ndërsa u bën thirrje vendeve anëtare të saj të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së./UBTNews