UBT News

Orbani u mposht në Hungari, por Orbanizmi jeton

Pikënisja e Orbanit – tendencat joliberale të vetë BE-së dhe militarizmi – është ende shumë e pranishme.

Të dielën, Kryeministri hungarez Viktor Orban pësoi një humbje të madhe në zgjedhjet legjislative pas 16 vitesh në pushtet. Përkundër të gjitha fjalëve se ai ishte një autoritar apo edhe një diktator, ai e pranoi shpejt humbjen në një fjalim plot lot para mbështetësve të tij.

Mes gjithë zymtësisë në Bashkimin Evropian, rënia politike e Orbanit është sigurisht një arsye për festë. Por kjo është një fitore e Pirros për udhëheqësit aktualë të BE-së dhe kauzën centriste, liberal-demokrate që ata pretendojnë se përfaqësojnë. Karriera politike e Orbanit mund të ketë marrë fund, por Orbanizmi është shumë i gjallë dhe aktiv.

BE-ja po kalon krizën më të rëndë gjeopolitike në historinë e saj. Udhëheqja e saj e paaftë dhe pa vizion mendon me klishe të vjetruara të shekullit të 20-të dhe përpiqet të tejkalojë rivalët e saj haptazi joliberale me fjalime jingoiste (nacionaliste) të ashpra, veçanërisht kur bëhet fjalë për Rusinë. Por, përveç dështimit për të përmbushur premtimet e tyre për të mbytur ekonomikisht regjimin e Presidentit rus Vladimir Putin dhe për ta mposhtur atë ushtarakisht në Ukrainë, ata tani po përballen me perspektivën reale të një ndarjeje politike me Shtetet e Bashkuara dhe një krizë ekonomike në shkallë të gjerë të shkaktuar nga vendimi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të hyrë në luftë me Iranin.

Fitorja e një partie hungareze në dukje pro-Brukselit, e udhëhequr nga Peter Magyar, i ka dhënë një mundësi të rrallë Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, për t’u gëzuar. Ajo shkroi në X se Hungaria “ka zgjedhur Evropën” dhe se ajo “kthehet në rrugën e saj evropiane”.

Kornizimi i çdo gjëje në terma mesianikë dhe civilizues që mbajnë erë supremacizëm perëndimor është stili karakteristik i komisionit aktual të BE-së, edhe pse kjo sfidon historinë.

Hungaria nuk “zgjodhi Evropën” – ajo është një vend në zemër të Evropës që ka ndihmuar në formësimin e politikës evropiane për shekuj me radhë. Nën Orbanin, ajo e bëri këtë në mënyrë disproporcionale me madhësinë dhe peshën e saj ekonomike.

Ishte qeveria e parë e Orbanit që e futi Hungarinë në NATO në vitin 1999 dhe që kreu me sukses negociatat për anëtarësimin e Hungarisë në BE. Rrëshqitja e mëvonshme politike e Orbanit drejt joliberallizmit, e cila përfundimisht e çoi atë drejt përqafimit të Trump-it, Putinit dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, mund të duket radikale, por ajo përputhet me zhvendosjen e përgjithshme të kontinentit drejt së djathtës ekstreme. Presidenca e Von der Leyen në Komisionin Evropian pasqyron të njëjtin ndryshim, madje në mënyrë më groteske se Orbani kur bëhet fjalë për militarizmin.

Është e rëndësishme të theksohet këtu se fituesi i zgjedhjeve të së dielës, Peter Magyar, kreu i partisë Tisza, është një ish-aleat i Orbanit, i cili shfaq pothuajse të njëjtin grup vlerash politike (ose mungesën e tyre), veçanërisht kur bëhet fjalë për çështjen e imigracionit dhe madje edhe të gjeopolitikës.

Ashtu si shumica e hungarezëve, Magyar është një skeptik ndaj Ukrainës, i cili nuk dëshiron që vendi i tij të ndihmojë Kievin financiarisht ose ushtarakisht, edhe pse qeveria e tij pritet të zhbllokojë huanë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, e cila është jetike për mbajtjen e luftës me Rusinë në vitet e ardhshme.

Në një intervistë të botuar në prag të zgjedhjeve, Magyar tha se “askush nuk dëshiron një qeveri pro-ukrainase në Hungari” dhe se varësia e Hungarisë nga gazi rus do ta detyrojë atë të ulet në bisedime me Putinin, edhe pse të dy nuk do të bëhen miq.

Nëse qeveria e re hungareze heq veton ndaj huasë, anëtarët e tjerë të BE-së – vende që më parë mirëpritën në heshtje bllokimin e iniciativave pro-Ukrainës nga Orbani – mund të ndërhyjnë.

Edhe para humbjes së Orbanit, Kryeministri belg Bart De Wever u shfaq si një udhëheqës i ri ukraino-skeptik në BE. Ai arriti të nxjerrë jashtë binarëve planin e Komisionit Evropian për të shfrytëzuar asetet e Rusisë, kjo është arsyeja pse BE-ja u detyrua të propozonte huanë prej 90 miliardë eurosh.

Ka forca të tjera politike me mendime të ngjashme, veçanërisht në lindje të BE-së. Sllovakia tani udhëhiqet nga Kryeministri Robert Fico, i cili u rreshtua me Orbanin në shumicën e çështjeve, veçanërisht kur bëhej fjalë për Ukrainën. Në Çeki, një koalicion ukraino-skeptik nën udhëheqjen e Kryeministrit Andrej Babis është tani në krye, por ende nuk i ka treguar “dhëmbët” në arenën evropiane. Në Poloni, Presidenti ukraino-skeptik Karol Nawrocki ka qenë në konflikt me qeverinë pro-ukrainase të Kryeministrit Donald Tusk.

Ndërkohë, një trend shqetësues po shfaqet brenda BE-së. Përpara zgjedhjeve hungareze, biseda të regjistruara midis Ministrit të Jashtëm të Orbanit, Peter Szijjarto, dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u zbuluan (rodhën), me gjasë nga shërbimet e inteligjencës së huaj. Kjo lejoi që zërat kryesorë anti-Orban në Perëndim të akuzonin Szijjarto-n si një aset rus.

Në vitin 2024, një tjetër vend i BE-së, Rumania, gjithashtu pa përfshirjen e agjencive të inteligjencës në zgjedhjet e saj. Pasi një kandidat i së djathtës ekstreme, miqësor ndaj Rusisë, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vendit, Gjykata e Lartë anuloi votimin bazuar pjesërisht në raportet e inteligjencës për “ndërhyrje ruse”.

Rreziku më i madh i kornizimit të të gjitha çështjeve politike ekskluzivisht në kontekstin e konfliktit të Evropës me Rusinë, ashtu siç tenton të bëjë Komisioni aktual Evropian, është se kjo po sjell një kapje “sekurokratike” të shtetit sipas stilit rus. Forcat politike që kanë investuar të ardhmen e tyre në mposhtjen e Rusisë në Ukrainë, mund të mendojnë sinqerisht se loja e pistë në një sërë vendesh anëtare dhe kandidate të BE-së justifikohet nga kërcënimi rus. Rezultati kryesor, megjithatë, është se politika evropiane po fillon të duket shumë si Rusia e Putinit në vend që të promovojë vërtet vlerat liberale që BE-ja pretendon se mbron.

Humbja e një skeptiku të tillë të madh ndaj Ukrainës si Orbani nuk e ndryshon ekuacionin. Deluzionet dhe gënjeshtrat e rrjedhës kryesore (mainstream) evropiane natyrshëm do të vazhdojnë të prodhojnë forca politike që do të tingëllojnë si zëri i arsyes thjesht duke i demaskuar ato. Ky ishte sekreti i suksesit 16-vjeçar të Orbanit.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Al Jazeera

Leonid Ragozin : Gazetar i pavarur në Riga

Exit mobile version