UBT News

​Orav: Fëmijët janë fillimi, mesi dhe fundi i çdo tregimi

UNICEF në partneritet me Bashkimin Evropian në Kosovë shënuan sot Ditën Botërore të Fëmijëve, për çka u theksua rëndësia e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se data 20 nëntor është shumë e rëndësishme sepse para shumë vitesh sipas tij janë miratuar dokumente të rëndësishme për të drejtat e tyre në Kombet e Bashkuara.

Ai tha se këto dokumente kanë rol të rëndësishëm për të gjithë fëmijët mbarë botës.

Orav u shpreh se “fëmijët janë fillimi, mesi dhe fundi i të gjitha tregimeve”.

Ai potencoi se Kosova ka përfunduar kornizën legjislative për mbrojtjen e fëmijëve, derisa shtoi se tashmë fokusi duhet të jetë në zhvillimin e skemave financiare të cilat mbështetin politikat e mbrojtjes sociale për fëmijët e cenueshëm dhe familjet që kanë nevojë për mbrojtje sociale.

“Sot me 20 nëntor është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, pasi para shumë vitesh janë miratuar shumë dokumente të rëndësishme në Kombet e Bashkuara. Mund të duket si diçka jo e rëndësishme por këto dokumente janë së pari deklarata e të drejtave të fëmijëve dhe konventa e të drejtave të fëmijëve. Marrëveshje të tilla ndërkombëtare kanë rol për të gjithë ne të cilët jemi sot këtu, por edhe për të gjithë fëmijët anë e mbanë botës. Ne jemi këtu sot për ju, fëmijët janë fillimi, mesi dhe fundi i të gjitha tregimeve. Më është thënë gjithashtu se Kosova ka përfunduar kornizën legjislative për mbrojtjen e fëmijëve që paraqet një hap shumë të rëndësishëm para. Tani fokusi duhet të kalohet në zhvillimin e skemave financiare të cilat mbështetin politikat e mbrojtjes sociale për fëmijët e cenueshëm dhe familjet që kanë nevojë për mbrojtje sociale”, tha Orav.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në Ditën Botërorë të Fëmijëve riafirmoj përkushtimin për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve. Ajo tha se tematika e zgjedhur këtë vit në kuadër të kësaj dite tregon rëndësinë e dëgjimit të zërit të fëmijëve sot dhe çdo ditë.

Në kuadër të kësaj dite, Nagavci tregoi se MASHTI ka hapur zyrtarisht javën kundër braktisjes së shkollimit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se në këto aktivitete të mbajtura sot kujtojnë përgjegjësinë e të gjitha institucioneve për mbrojtjen e tyre.

“Në këtë ditë të madhe të rëndësishme, jo vetëm për më të vegjlit tanë por edhe për të gjithë ne, në Kosovë zhvillojmë një numër të madh aktivitetesh duke e ditur rëndësinë e padiskutueshme që ne duhet t’i kushtojmë qenies dhe garantimit të drejtave të fëmijëve sot dhe çdo ditë. Ne e riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve në Kosovë…Në këtë ditë MASHT-i hap zyrtarisht edhe fushatën ‘Java kundër braktisjes së shkollimit’, i cili synon që me aktivitete e shumta vetëdijësuese që do të ndodhin gjatë gjithë javës të shpërndahen dhe aktivizohen të gjitha institucionet, organizatat komuniteti i prindërve në aktivitete vetëdijësuese. Fëmijët janë ëndrra që aspirojnë të realizojmë si shoqëri, udhëheqësit që shpresojmë t’i rrisim në mënyrën më të mirë të mundshme”, potencoi Nagavci.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është punuar me prioritet në hartimin e politikave sociale të përgjithshme, të cilat fuqizojnë familjen duke e mbrojtur atë dhe duke i avancuar sipas saj të drejtat e fëmijëve.

Haxhiu theksoi se është zhvilluar një reformë e thellë e cila në fokus ndër të tjera ka kujdesin, mbrojtjen dhe mirëqenien sociale të fëmijëve, në veçanti të kategorisë së cenueshme.

Ndër të tjera, ajo përmendi se Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 1 milionë euro më shumë se këtë vit nga buxheti i Kosovës, për organizatat që merren me çështje familjare.

“Përderisa si Ministri e Drejtësisë kemi zhvilluar një reformë të thellë të politikave të shërbimeve sociale, duke siguruar që pjesë e kësaj reforme të jetë edhe kujdesi, mbrojtja por po ashtu edhe mirëqenia sociale e fëmijëve. Në veçanti të fëmijëve pa kujdes prindëror, fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijëve së situatë rruge, fëmijët që janë viktima të përdorimit të substancave psikoaktive, fëmijët e abuzuar të neglizhuar të keqtrajtuar dhe kategoritë e tjera të fëmijëve të cenueshëm. Ne kemi hartuar ligjin e ri për shërbime sociale dhe familjare dhe jemi duke punuar për hartimin e akteve nënligjore që dalin nga ky ligj që përcakton kompetenca të qarta për secilin institucion në raport me çështjet sociale dhe familjare”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkaq, drejtori në Zyrën për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se përkundër arritjeve në këtë fushë, ka shumë punë të bërë për të drejtat e fëmijëve.

Në kuadër të kësaj ngjarje, fëmijët e pranishëm patën mundësinë t’iu bënin pyetje drejtuesve të institucioneve në Kosovë dhe jo vetëm, lidhur me kërkesat dhe ankesat e tyre.

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1954 e shënoi 20 nëntorin si Ditën Botërore të Fëmijëve, që ka për qëllim të sigurojë mirëqenie për të gjithë fëmijët në botë dhe t’i rikujtojë të rriturit se fëmijët, si anëtarë të barabartë të çdo shoqërie, kanë të drejtat e tyre dhe ato duhet të respektohen.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1959 e miratoi Deklaratën për të Drejtat e Fëmijëve, ndërsa në vitin 1989 u miratua edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijëve.

Exit mobile version