Partitë opozitare në Kosovë kanë vazhduar akuzat ndaj kryeministrit, Albin Kurti, për situatën në veri të vendit. Sipas PDK-së dhe AAK-së, Kurti me veprime të pamatura dhe eksperimentuese krijoi kaos në katër komunat veriore dhe reduktoi sovranitetin e vendit vetëm në oborret e katër objekteve komunale.
Megjithatë për de-eskalimin e situatës në veri kërkuan nga institucionet e vendit bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, qoftë edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja, por gjithmonë që të njëjtat të jenë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.
Kjo u premtua nga partia në pushtet, të cilët potencuan se zgjedhjet e reja në veri mbahen vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe jo mbi shantazhin e kërcënimet.
Gjithashtu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, përfaqësuesit politikë të LVV-së, PDK-së dhe AAK-së, i quajtën absurde kushtet e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, të cilët kërkuan largim të tërësishëm të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe formimin e Asociacionit.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se çfarëdo zgjidhje që bëhet në veri të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit të Kosovës. Sidoqoftë, ai nuk tregoi nëse dy kryetarët e komunave veriore nga radhët e PDK-së do të japin dorëheqje për organizimin e zgjedhjeve të reja atje.
“Krejt çka ka bërë është se e ka reduktuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në oborret e objekteve të katër komunave. Cili është roli i policisë në objektin e një komune, ai është për të siguruar rend dhe ligj në tërë komunën. Ndërsa, sa i përket kushteve absurde të Listës Serbe, nuk ka ku me shkua Policia e Kosovës përtej territorit të Kosovës. Njësia Speciale nuk ka shkuar në Serbi, Nish apo Kralevë, por janë në territorin e Kosovës dhe duhet të jenë prezentë gjithmonë…Të kemi një angazhim të përbashkët, veçmas me ShBA-në sa i përket problemeve në veri. Është e dhimbshme dhe papranueshëm të na vijnë sanksione si rezultat veprimeve të pamatshëm të kryeministrit të Kosovës. Cilindo veprim që do të ndërmarrin institucionet tona është shumë e rëndësishme që të jetë në përputhje me rendin tonë kushtetues. Nëse krijojmë precedent të rrezikshëm të cilat e tejkalojnë kushtetutshmërinë, atëherë po e cenojmë në thelb shtetësinë e vendit tonë”, tha ai.
Kritik u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se eksperimenti i Kurtit në veri dëmtoi Kosovën në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm. Ai tha se për këtë arsye do të vazhdojnë konsultat me dy partitë të tjera opozitare për hartimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Lista Serbe nuk është në pozicion të kushtëzojë Kosovën dhe as Vuçiq. Ne kemi shtet dhe institucione. Ajo që dua të them se ne si AAK kemi qenë tepër të sinqertë me këtë qeveri, kemi qenë të vetmit që kemi dal në foltore dhe kemi thënë zotëri kryeministër mos hyn në zgjedhje që po hyn në një eksperiment që nuk mund del mirë. Ndodhi ajo që u tha, tash qeveria a duhet prej gjepit të vet të paguaj për zgjedhjet e reja? Ka qenë një eksperiment që e ka dëmtuar Kosovën si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, theksoi ai.
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj tha se për shkak të veprimeve të gabuara të kryeministrit Kurti, veriu i Kosovës lëvizë në vendosjen e një protektorati ndërkombëtar.
“Veriu i Kosovës po lëviz, duke shtuar praninë e madhe të KFOR-it, duke shtuar praninë e madhe të organizatave ndërkombëtare, duke pa qëndrimet çdo ditë të UNMIK-ut, po lëvizë drejtë vendosjes së një protektorati i cili po funksionon në teren. Kjo situatë është shqetësuese për PDK-në dhe mua…Prej asaj si organizohen dhe menaxhohen zgjedhjet do të varet edhe realiteti i cili do të krijohet në veri të vendit. Shqetësimi im është se krejt çka ka ndodhur prej nëntorit të vitit të kaluar nga ana e zotëri Kurti, i cili para se me ardhur ka premtuar një dialog me serbët e Kosovës, kurse tash po shihet se nuk ka politikë në raport me komunitetin serb në Kosovë”, deklaroi Hoxhaj.
Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se zgjedhjet në veri mund të mbahen vetëm në kuadër të ligjit dhe kushtetutshmërisë, jo shantazhit dhe kërcënimit. Ajo tha se Lista Serbe nuk është në pozitë të adresoi kushte, pasi e njëjta më instruksione nga Beogradi ka dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe po ashtu nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e prillit.
“Dihen procedurat sesi përsëriten zgjedhje, njëra është me dorëheqjeje të kryetarëve, tjetra është me mbledhjen e nënshkrimeve të listës së votueseve. Gjithsesi në cilëndo formë mbetet të shihet, por do të jetë në forma demokratike dhe të parapara me ligj…Në frymën e funksionimit të mirëfilltë të institucioneve dhe të demokracisë, të gjitha vendimet do të jenë në atë vazhdë. Por, jo në mënyrën apo formën ku kërcënohen apo shantazhohen kryetarët e zgjedhur të komunave në veri…Ata(Lista Serbe) i kanë prezantuar si kushte për pjesëmarrje në zgjedhje, gjithashtu po e ritheksoj se largimi i tyre nga institucionet nuk është bërë nga askush në Kosovë, por me kërkesën e Beogradit. Njëjtë, mospjesëmarrja e tyre në zgjedhje në Kosovë nuk u bë nga askush në Kosovë, por u bë pengesë nga Beogradi. Thirrje e drejtpërdrejtë e presidentit Vuciq për mospjesëmarrje dhe kërcënime për komunitetin tjetër serb që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, tha ajo.
Për zgjidhjen e situatës në veri, gjatë mbrëmjes së sotme pritet të qëndrojnë në Kosovë, përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.