UBT News

Opozita s’do të ftojë seancë për Dick Marty-n, konsiderohet ndërhyrje në punën e Speciales

Opozita po kërkon nga krerët e institucioneve që të trajtojnë me seriozitet rastin e ish-senatorit zviceran Dick Marty, por ata nuk kanë plan të ftojnë seancë plenare për trajtimin e kësaj çështjeje, pasi kjo është përgjegjësi institucionale. Përfshirja e organit më të lartë legjislativ në këtë rast, po konsiderohet të jetë ndërhyrje në rastet me të cilat po merret Gjykata Speciale.

Institucionet e vendit, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa nuk janë të interesuara të merren me këtë çështje.

“Unë mendoj që është përgjegjësi institucionale. Ne nuk e pamë asnjë fjalë nga ministrja e Drejtësisë, nuk e pamë asnjë fjalë nga kryeministri. Besoj që në këtë rast nuk janë të interesuar të merren me këtë çështje. Partia Demokratike e Kosovës në vijim do t’i bëjë veprimet e saj kushtetuese në raport me këtë rrethanë. Mendoj që është shumë e rëndësishme që Kosova ka qëndrim në këtë rast, pasi që ne e dimë çfarë dëmi i ka krijuar Dick Marty Kosovës me dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe tash thotë që kemi pasur një tentim-vrasje. Po shihet, unë flas si deputet, që ka pasur pazare mes tij dhe Serbisë”, tha ai.

E pyetur nëse do të ftojnë seancë për trajtimin e rastit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj thotë se me këtë duhet të merren krerët e qeverisë.

“Janë krerët e qeverisë që duhet të merren me këtë çështje, sepse ajo çfarë e dëgjuam është që kanë dashur ata që të kryejnë një sulm Serbia, sepse nuk është hera e parë që ata kërcënojnë në këtë mënyrë, duke e ditur se senatori Dick Marty është ai që ka ngritur aktakuza për krerët e UÇK-së me supozimet e tij që kanë kryer gjenocid. Janë institucionet e Kosovës, kryeministri dhe presidenti ta ngrenë në nivele më të larta këtë shqetësim. Sepse, arsyeja u pa që ka qenë që shërbimet sekrete serbe kanë dashur ta eliminojnë Dick Marty-n, në mënyrë që kjo t’u lihet shqiptarëve”, tha ajo.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se Kosova duhet të sensibilizojë opinionin ndërkombëtar në lidhje me kërcënimet që Dick Marty ka marrë nga shërbimi sekret serb.

“Unë dyshoj që Kuvendi i Kosovës do të duhej të merrej me këtë temë. Kuvendi i Kosovës nuk është adresa e duhur që kjo të bëhet qoftë publike, qoftë të ngrihet informacioni te partnerët ndërkombëtarë. Unë besoj që kryeministri, ministrja e Jashtme me theks të veçantë, ambasadorët tanë në Evropë dhe shtete tjera të botës, do të duhej që këtë çështje ta ngrenë dhe të informojnë shtetet e ndryshme. Në mënyrë që të sensibilizohet sa më shumë opinioni ndërkombëtar në lidhje me këtë ngjarje”, tha Miftaraj.

Ai thotë se Kosova duhet të presë informacionet zyrtare nga shteti i Zvicrës lidhur me rastin.

“Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të ishte adresa e duhur, sepse mund të konsiderohej edhe si ndërhyrje në rastet që janë në Gjykatën Speciale apo ndërhyrje të tjera të cilat nuk do të ishin të përshtatshme për publikun e Kosovës”, tha Miftaraj.

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka kërkuar nga autoritetet kosovare për të marrë informacione mbi rastin e Dick Marty.

Televizioni publik zviceran ka raportuar se ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur që 16 muaj nga policia zvicerane, pas kërcënimeve për likuidim nga shërbimi inteligjent serb. 

Exit mobile version