Protesta e opozitës në orën 11:00 para bashkisë së Tiranës do të sjellë edhe bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor.
Si shkak edhe i incidenteve të ndodhura në protestat e mëparshme, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Duke nisur prej orës 09:30 e deri në përfundim, bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve ka në bulevardin kryesor pranë bashkisë së Tiranës.
Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
Protestat e opozitës vijojnë prej muajsh, ku dhe kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut, Erion Veliaj, kjo edhe pas publikimit të dosjes “5D” që çoi në pranga disa drejtorë të bashkisë së kryeqytetit./RTSH/