Opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë protestuar sërish para Bashkisë Tiranë, ku kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Edhe këtë herë protestuesit kanë hedhur molotov dhe tymuese para godinës së bashkisë, duke vijuar me të njëjtën mënyrë si në protestat e kaluara. Gjatë fjalës së tij Belind Këlliçi ka thënë se Policia e Shtetit nuk duhet të guxojë të prekë protestuesit, ndërsa shtoi se protestat do të vijojnë.
“Guxoni prekni qytetarët, jeta është shumë e gjatë. Do e keni personale me qytetarët dhe Partinë Demokratike, qoftë ti Met Rrumbullaku qoftë ti Tonin Vocaj, qoftë ai hajduti i bashkisë. Demokratë mos u mërzisni, me betejën tuaj, me qëndresën tuaj, ia dolëm të shembim planin e Edi Ramës që donte të linte vendin pa opozitë. Për një të vërtetë shumë të madhe ju ftojmë të qëndroni, në Bashkinë e Tiranës është një hajdut si Erion Veliaj, i cili do të marrë faturën që i takon”, tha Këlliçi.
Policia ka vendosur një gardh metalik rreth godinës për të shmangur përplasjen me protestuesit, ndërsa ka bërë thirrje për vetëpërmbajte për shmangien e incidenteve.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erijon Veliaj ku e akuzojnë për lidhje me inceneratorin e Tiranës si dhe dosjen 5D për arrestimin e 3 ish-drejtorëve të Bashkisë, pas abuzimit me tenderat për përfitime personale./UBTNews/