Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim rezoluta e partive opozitare në lidhje me komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i akuzuari për sulmin terrorist në Banjska, Milan Radoiçiq.
Pas debatit parlamentar, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, prezantoi rezolutën, ku kërkohet hetimi penal ndaj Kusari-Lilës dhe shkarkimi i saj nga pozita e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi të ndjekjes penale të iniciojë hetim penal në përputhje me legjislacionin në fuqi ndaj Mimoza Kusari-Lila, në lidhje me komunikimin e saj me kryeterroristin Milan Radoiçiq. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës kërkon nga Grupi Parlamentar shkarkimin e Mimoza Kusari-Lila”, tha ai.
Krahas kësaj, ai kërkoi sërish publikimin e fotove me Radoiçiq, të cilat i ka paralajmëruar Kusari-Lila.
“Vetëm një fotografi ekziston me Radoiçiq në Kosovë. Fotografia e Mimoza Kusarit të Vetëvendosjes me Radoiçiq. S’keni mundur asnjëherë me gjet tek asnjë qytetari tjetër në bashkëpunim me Radoiçiq përveç linjës me Vetëvendosjes. Të jeni të bindur se çka do që kishin pasur ata sot, dje pardje do t’i kishin publikuar moti, s’kanë asnjë të vetme”, tha ai.
Pas kësaj kryesuesi Enver Hoxhaj mbylli punimet e seancës së sotme të jashtëzakonshme./UBTnews/