Deputetët e opozitës e kanë quajtur të panevojshme të gjithë situatën e krijuar për targat në veri, duke konstatuar se Kosova është kthyer prapa. Ndonëse thonë se me dakordimin e palëve është evituar një konflikt i mundshëm në veri.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj tha se me arritjen e marrëveshjes është anashkaluar çdo incident fizik ndërmjet Policisë dhe qytetarëve të katër komunave veriore. Tutje ai tha se pala kosovare është dëmtuar, duke shpresuar që gjendja të kthehet në normalitet.
“Marrëveshja është mirë që është arritur meqenëse kanë rënë tensionet në veri dhe është arritur që të mos shkojë deri te ndonjë incident fizik mes policisë dhe qytetarëve të katër komunave veriore. Nuk kemi informata të mjaftueshme për marrëveshje, sido që të jetë kryeministri Kurti ka bërë veprim të gabuar sepse e tëra kjo ka mundur të evitohet që nga fillimi. Në kuadër të negocimit për marrëveshjen finale sigurisht që do të ishte rregulluar edhe çështja e targave. Dhe unë mendoj që pozicioni i Kosovës është dëmtuar sepse palës kosovare iu janë adresuar të gjitha tensionet. Politikisht kemi humbur si shtet dhe shpresoj që në Qeveri të kthehet normaliteti”, tha Qalaj.
Përderisa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se me këtë rast Kosova humbi të gjithë aleatët sidomos ShBA-në. Ndonëse thotë se e përshëndesin arritjen e marrëveshjes, ajo shton se pa nevojë është insistuar në një çështje qe vendin e ka kthyer mbrapa.
“Është diskutuar në Paris se do të diskutohet draft marrëveshja dhe do të jetë ne agjendë gjatë takimit që është përcaktuar të jetë Kurti -Vuçiq dhe në fakt s’kemi pas informata të tilla. Më pas ajo informatë u bë publike pas dështimit të arritjes së një marrëveshje për zbatimin e targave dhe e kemi parë se zotëri Kurti ka pasur një agjendë krejt tjetër ndërsa sipas tij është ndryshuar nga Borell. Ne e përshëndesim këtë marrëveshje sepse pa nevojë kemi arritur në një situatë me tentimin e zbatimit të kësaj marrëveshje ne kemi kthyer Kosovën prapa dhe në fakt patëm humbur te gjithë aleatët sidomos ShBA sepse shigjetat dhe faji u adresua te Kosova dhe jo te Beogradi”, tha Kadriaj.