Kuvendi i Kosovës ka përmbushur vetëm 13 për qind të agjendës legjislative të vitit 2023, thuhet në raportin e publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sipas këtij raporti Kuvendi gjatë këtij gjysmë viti miratoi 44 ligje, mirëpo pjesa dërmuese e tyre ishin të bartura nga viti i kaluar.
Në bazë të gjetjeve të KDI-së del se opozita nuk ka qenë mjaft aktive gjatë këtij sesioni pranveror, pasi deputetët e tyre kryesojnë sa i përket mungesave në seanca plenare, ndërkaq nga 171 pyetje parlamentare vetëm 68 sosh janë bërë nga opozita ndaj ekzekutivit.
Hulumtuesi në KDI, Arbër Thaçi, në publikimin e këtij raporti të mërkurën, tha se sesioni pranveror i Kuvendit është karakterizuar nga shumë të papritura, me përmbajtje të llojllojshme dhe shumë sfida.
“Shumë prej tyre nuk janë projektligje që i takojnë agjendës legjislative të vitit 2023. Vetëm 17 nga këto janë projektligje apo marrëveshje ndërkombëtarë që janë të përfshira në agjendën e këtij viti, të tjerat i takojnë viteve paraprake. Prandaj mund të themi se në përqindje diku vetëm 13 për qind e planit legjislativ të vitit 2023 është përmbushur gjatë këtij sesioni. Një nga problemet të cilën duhet të evidentojmë ka qenë mungesa e deputetëve, e cila ka shkaktuar vazhdimisht problemin e mungesës së kuorumit. Në bazë të gjetjeve tona mesatarisht në secilën seancë 22.5 për qind e deputetëve kanë munguar. Trendet janë varësisht prej partive politike, në këtë rast partitë opozitare tregojnë shifra më të larta të mungesave. LDK ka diku 22 për qind të deputetëve që i mungojnë, PDK ka rreth 19 për qind, LVV ka nëntë për qind”, tha ai.
Ndërkaq, hulumtuesja tjetër në KDI, Violeta Haxholli tha se Kuvendi ka dështuar edhe në rolin mbikëqyrës ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Sa i përket rolit mbikëqyrës të Kuvendit, fatkeqësisht nuk ka qenë shumë i kënaqshëm aktiviteti i deputetëve gjatë këtij sesioni. Në përgjithësi deputetët i kanë parashtruar ndaj ekzekutivit 171 pyetje parlamentare, por këtu hynë edhe pyetje të cilat janë përsëritur disa herë për shkak të mungesës së ministrave në seanca. Deputetët e partisë në pushtet kanë parashtruar më shumë pyetje. Kjo në vetvete paraqet problematik, pasi tregon se deputetët e opozitës nuk kanë qenë shumë aktiv në parashtrimin e pyetjeve parlamentare gjatë ekzekutivit. Kështu PDK-ja ka parashtruar 45 pyetje, LDK ka parashtruar 10 pyetje dhe AAK 13 pyetje. Të gjitha pyetjet parlamentare i kanë parashtruar vetëm 38 deputetë të Kuvendit, ndërsa 82 deputetë nuk kanë parashtruar fare pyetje që është shqetësuese”, tha ai.
Më korrekti në përgjigjen e pyetjeve sipas KDI-së ka qenë kryeministri Albin Kurti, duke iu përgjigjur të gjithave, ndërkaq më të papërgjegjshëm del të jenë ministri Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla që nuk i është përgjigjur asnjë pyetje dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në raportin e KDI-së për punën e Kuvendit evidentohet edhe gjuha joparlamentare, ku kërkohet nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të jetë më rigoroz në dënimin e deputetëve.
Po ashtu u shprehën shqetësime lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mos publikimin e votave me dorë, dhe mos publikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre Ad-Hoc.
Në fund, KDI ofroi disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim të mirëfilltë të seancave, pjesëmarrje të rregullt të deputetëve në punimet e Kuvendit, zgjerim të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, adresimin e gjuhës jo parlamentare dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.