UBT News

Opozita: Niveli dhe numri i takimeve të Kurtit në ShBA nuk e arsyetojnë vizitën e tij

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka përfunduar sot, po konsiderohet nga opozita si një vizitë e cila për nga numri dhe niveli i takimeve nuk do të arsyetohej as me një vizitë katër ditore. Madje partitë opozitare në vend vlerësojnë se ajo vizitë vetëm ka qenë e dëmshme për vendin.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefi i grupit parlamentar të LDK-s, Arben Gashi e konsideroi të pazakonshme që një kryeministër në kohë modern e në kohë krize të qëndroi 3 javë jashtë vendit.

“Është e pazakonshme që një kryeministër në kohët modern me qëndruar 3 javë jashtë vendit dhe sidomos në kohët modern në gjendje të jashtëzakonshme të krizës energjetike dhe të problemeve madhore siç është problemet e sigurisë globale dhe po ashtu edhe një element i rëndësishëm është aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kryeministri të mos jetë as në Evropë që të merret me lobim dhe ta fus në rend në Komitetin e Ministrave. Kryeministri nuk gjendet në Kosovë qe pothuajse tri javë dhe kjo mungesë e prezencës së tij nuk arsyetohet me takimet që ka pasur në ShBA, niveli i takimeve dhe numri i takimeve dhe rezultati i takimeve nuk do ta arsyetonin as një vizitë katër ditore, e lër më një vizitë 19 ditore sot, mendoj se është një qasje e gabuar”, theksoi ai.

Kurse shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se një qëndrim kaq të gjatë të kryeministrit të Kosovës në SHBA, pa realizuar asnjë takim me persona të nivelit të lartë të këtij shtetit nuk do t’ia dëshironte Kurtit. Ai tha se ky spostim prej agjendës të Kosovës nga qeveria amerikane është dëm i madh për Kosovën.

“Një qëndrim kaq të gjatë të një kryeministri të vendit tonë në ShBA dhe mos realizimin e asnjë takimi të nivelit të lartë është gjëja më e vogël dhe më e pakta që e kisha dëshiruar edhe për kundërshtarin tim politik, sepse në fund të ditës largimi prej agjendës dhe spostimi prej agjendës nga qeveria e ShBA-ve çështjen tonë është një dëm më i madh që ne mund ta imagjinojmë që mund t’i bëhet vendit tonë. Prandaj, është e pashembullt është një dëmtim shumë i madh për neve që kryeministri ynë qëndron më shumë se dy javë që në një vizitë zyrtare jo private dhe nuk arrin nivel të tillë. Mos pritja e kryeministrit në nivele të tilla siç ka ndodhur çdoherë në pothuajse çdo vit nga gjithë kryeministrat dhe presidentët paraprak është dëmi më i madh që mund ta imagjinojmë ne që mund të vijë pikërisht në fuqizimin e agjendës tonë ndërkombëtare si Republikës e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan dhe disa kongresit amerikanë. Ndërsa po ashtu ka zhvilluar takime edhe me disa udhëheqës të bizneseve.

Shefi i ekzekutivit Kosovar, Albin Kurti sot nga ShBA-të ka vazhduar drejtë Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. 

Exit mobile version