Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që përmes mocionit procedural të futet në rend të ditës, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Krizën Energjetike.
Në seancën e sotme plenare, ai ka theksuar se kanë mbledhur nënshkrimet e 40 deputetëve për formimin e këtij komisioni.
“Grupi Parlamentar i PDK-së ka propozuar formimin e një komisioni hetimor, i cili është përkrahur tashmë nga 40 deputetë. Kjo është një kategori kushtetuese, e cila përcakton nenin 77. Meqë ju jeni në dijeni që propozimi i gjashtë deputetëve për formimin e komisionit hetimor ka rënë, tashmë kjo është një kategori kushtetuese që është vetëm një formalitet caktimi i komisionit. Ne si grup i PDK-së e kemi diskutuar edhe në seancën e kaluar për komision hetimor. I kemi zëvendëskryetarin dhe një anëtar dhe sot është një formalitet dhe përmes këtij mocioni procedural, ne kërkojmë që grupet parlamentare ta përkrahin këtë mocion procedural. Të jetë si pikë e parë e rendit të ditës, sepse nuk kërkon më shumë se 10 minuta që ky formalitet të përfundojë, pastaj komisioni të vazhdojë punën”, tha ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se në këtë mocion nuk përmendet se 40 deputetët nënshkrues janë iniciues.
“Ne na intereson se në çfarë përbërje mund të jetë ky komision përderisa 40 deputetët nënshkrues janë të grupeve parlamentare PDK, LDK, AAK. Do të thotë në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizimi i këtij komisioni hetimor përderisa të gjitha partitë opozitare janë inicuese të komisionit hetimor ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i komisionit hetimor parlamentar”, ka thënë ajo.
Për këtë, Tahiri tha se PDK është propozues për formimin e këtij komisioni hetimor, e jo partitë tjera.
“Nëse ju mendoni që po bëjmë shkelje kushtetuese, ju inkurajoj që t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese pas votimit të këtij Kuvendi. Kjo është çështje shumë e thjeshtë, janë 40 nënshkrime, 40 deputetë janë kategori kushtetuese që e caktojnë komisionin hetimor. Nuk po propozojmë, e kemi caktuar. Është formalitet propozimi i emrave dhe kryesuesit… Si grup parlamentar i PDK-së po i bëjë thirrje mazhorancës që ta votojë, përndryshe atëherë do të hyjmë në një cikël jo të mirë të punës tonë si Kuvend me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, mos votimit të ligjeve të opozitës dhe nuk besoj që kjo i intereson dikujt”, ka deklaruar Tahiri.
Këtë po e përkrah edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi tha se nuk janë iniciues të themelimit të këtij komisioni.
Gashi tha se nuk ka kuptim demokracia dhe parlamentarizmi nëse opozitës i mohohet e drejta kushtetuese për formimin e komisionit hetimor parlamentar.
Ai poashtu ka paralajmëruar bojkot të Kuvendit në rast se nuk formohet ky komision hetimor parlamentar.
Më tej, ai shtoi se iniciues për formimin e këtij komisioni hetimor është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka tentuar të formojë këtë komision me procedurë të thjeshtë me gjashtë nënshkrime. Sipas tij, pushteti është tmerruar nga mundësia e hetimit të keqmenaxhimit në sektorin e energjisë elektrike.