UBT News

Opozita kritikon njëvjeçarin e punës së presidentes Osmani

Janë bërë një vjet prej se në krye të presidencës erdhi Vjosa Osmani. Për gjatë këtij njëvjeçari opozita nuk po konsideron ndonjë të arritur të saj. Ajo po kritikohet nga partitë e opozitës për shkarkimin e ambasadorëve.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra tha se presidentja duhet të praqes unitetin e shtetit dhe shqetësimet e qytetarëve dhe të jetë e zëshme në pikat e agjendave të përditshme të vendit. Ajo ka theksuar se Osmani duhet të jetë në nivel të detyrës jo vetëm kur ajo e konsideron që duhet të jetë por edhe kur cenohen interesat e qytetarëve të vendit.

“Kemi shprehur shqetësime lidhur me pozicionin e saj[…]ajo do të duhej që gjithmonë të paraqitë unitetin e shtetit, të jetë aty kur shqetësimet e qytetarëve janë tejet të larta, natyrisht të jetë e zëshme edhe në pikat të cilat janë pika të agjendave tona të përditshme. Dmth sa i përket edhe çështjes së energjisë që e kemi diskutuar disa herë por edhe çështje tjera që presidentja si gardiane e kushtetutës do të duhet të ishte në nivel të detyrës së saj. Konsideroj që presidentja do të duhet të ishte në nivel të detyrës jo vetëm kur ajo e konsideron që duhet të bëhet një gjë të tillë por sa herë që cenohen interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës…besoj që ka raste kur këto interesa janë cenuar e që presidentja nuk ka qenë e zëshme mjaftueshme”, tha ajo.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në njëvjeçarin e marrjes së detyrës nuk ka pasur ndonjë temë për t’u raportuar.

Ai foli edhe për çështjen e shkarkimit dhe emërimit të ambasadorëve, ku për këta të fundit thotë se është një njollë e zezë e shumicës parlamentare.

“Në një vjetorin e presidentes së vendit nuk ka pas diçka që mundet me u raportu si një temë e caktuar. Ajo ka ushtuar funksionin e saj duke i thirr partitë pulitke por nuk shoh një veprim ndryshe se si ka qenë…ajo ka pas takime edhe me kryetarët e partive politike por është tepër me rëndësi që ky funksion të ushtrohet në funksion të detyrave kushtetuese për me qenë person unifikues. Ajo që them se secili president dhe zyrtarë të lartë politikë kur e kthejmë kokën mbrapa dhe e vlerësojmë, e vlerësojmë për cilësinë e punës dhe konsultimin që e ka pas ajo apo ai. Pra cilësia është e rëndësishme që mos me ra në ndikim politikë. Shkarkimi i ambasadorëve, emërimi i njerëzve të lidhur me shumicën parlamentare ka qenë dhe vazhdon të jetë gabim dhe vazhdon të jetë një njollë e zezë e kësaj shumice parlamentare”, tha Tahiri.

Më 4 prill të 2021-ës, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, me 71 vota pro, zgjodhi presidente të vendit, Vjosa Osmanin.

Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmanin, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.

Exit mobile version