UBT News

Opozita kritikon Kurtin për marrëveshjen për depërshkallëzim të situatës në veri

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për bashkëpunim me Listën Serbe dhe për marrëveshjen për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Në seancën e sotme të Kuvendit, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, tha se publikimi i audio-incizimeve të Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, ku përmendet edhe krimineli Milan Radojçiq është skandal që është bërë me miratimin e kryeministrit Kurti.

“Kryeministri i cili është sot këtu dhe qeveria e tij dallohen për skandale në vazhdimësi. Po i përmendi disa prej tyre, po e filloj me këtë të fundit. Skandali i komunikimit me një person në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe në listën e zezë të ShBA-së pra me miratimin e tij pasi i ka kërkuar t’i bëjë numrat me çdo kusht është një skandal shumë i rëndë. Ky Kuvend nuk mundet të përballojë një gjë të tillë… Skandali tjetër është marrëveshja e cila u bë në Sllovaki nga zëvendëskryeministri, i cili thotë se duhet të tërhiqen 25 përqind brenda dy ditësh, të forcave speciale në veri, dhe 25 përqindshi tjetër në vazhdimësi”, tha ai.

Kritik ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se kryeministri Albin Kurti po eksperimenton me veriun.

“Dita e djeshme është një ndër ditët më të kobshme të historisë së qeverisjes dhe të vendit tonë. Është dita kur e mbuloj terri dhe marrja qeverinë e Kosovës dhe këtë kuvend. Me një vendim që u morr në qeveri dhe një publikim të një bisede mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe. Kryeministër dje ke marrë vendim me u tërheq pas katër muajve eksperimentim në veriun e Kosovës. Pas katër muajve që kur e vendose Kosovën, e barazove me vendet më të sanksionuara nga bota perëndimore, pas 4 muajve rrezikim të policëve të Kosovës vendosë me e tërheq Policinë nga veriu dhe të shkojë në zgjedhje”, tha ai.

Exit mobile version