Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në komunën e Deçanit pas helmimit të një numri të madh të qytetarëve.
Kryetari i Komisionit Bekë Berisha, tha se nuk janë marrë veprimet e duhura nga institucionet përgjegjëse, duke shtuar se edhe pohimet prej çka është shkaktuar helmimi janë kontradiktore.
“Nuk kam marrë raport nga Agjencia e Emergjencave. Mendoj që nuk janë marrë veprime të caktuara dhe disa institucione veç kanë dështuar. Me këtë takim mi përfshi të gjitha institucionet e sigurisë. Gjendja e të infektuarve vazhdon të jetë e njëjtë”.
“Numri i pacientëve është 1182, deri më tani vetëm një ekip i FSK-së ka ndihmuar. Situata tash për tash është e menaxhueshme. 1 434 ka mbërri numri deri më tani. Ekipi i IKShPK janë në teren. Komunat e gatshme për ndihmë janë: Peja, Gjakova, Klina, Prizreni. Nga IKShPK-ja thonë se nuk ka pas helmim. Këtu nuk ka asnjë argument vetëm janë dyshime”.
Deputeti i VV, Enver Dugolli, tha se edhe përkundër që situata është jo e mirë për shkak edhe të rritjes së shqetësimit të qytetarëve, menaxhimi është në nivel.
Sipas tij, nuk duhet hedhur kritika kur nuk ka vend për to, sepse Qeveria ka reaguar sapo ka marrë informacionin zyrtar.
“Në rastin e Deçanit, komuna dhe qytetarët kanë nevojë t’iu ndihmojnë sepse në raste të tilla duhet të jemi bashkë. Plani i reagimit e parasheh që në rast se komuna nuk mund ta përballojë aktivizohet niveli qendror MPB dhe shtabi emergjent. Të mos hedhim akuza aty ku nuk ka. Sepse Qeveria ka reaguar kur e ka marrë informacionin zyrtar”.
“Unë mendoj që ky ligj drejton shumë gjëra sepse furnizimi me ujë është i përcaktuar në ligjin për infrastrukturë. Ligji obligon të ketë një plan dhe parashihen parandalimi i rreziqeve. Trajtimi i menaxhimit të ujërave është dashtë me qenë prioritet”.
Deputeti i PDK-së Ilmi Reçica tha se reagimi ka qenë jashtë përgjegjësive dhe se krejt kjo situaatë është papërgjegjësi e kryeministrit Albin Kurti .
“1 500 veta që kanë shfaqur shqetësime dhe dyshime për helmim, reagimi ka qenë jashtë përgjegjësive. Është papërgjegjësi që kryeministri të jetë jashtë vendit për 7 ditë sepse Deçani është më shqetësues. Në çdo situatë po të kish pas takime shumë të veçanta do të kish ndërpre takimet. Kjo është papërgjegjësi e kryeministrit”.
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se për shkak të mosaktivizimit të institucioneve ende nuk dihet shkaktari i helmimit të qytetarëve, prandaj edhe mund të përsëriten situata të tilla.
“Përderisa nuk kemi aktivizim të institucioneve tani është kjo gjendje dhe ende nuk e dimë shkaktarin. Këto gjëra mund të përsëriten. Rrethana të tilla duhet me pas parasysh se krijohen dezinformata”.