UBT News

​Opozita dorëzon kallëzim penal ndaj ministres Nagavci

Deputetë nga partitë opozitare kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci. Padia është bërë nga anëtarët e Komisionit Hetimor për tekstet shkollore, të cilët konsiderojnë se ministria ka bërë shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.

Kryetari i komisionit hetimor, Shemsedin Dreshaj ka thënë se raporti i komisionit ka bazë për hetim të mëtejshëm nga Prokuroria Speciale “lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”.

“Ky proces është përmbyllur me një raport final i cili ka mjaft të gjetura të shkeljes procedurale, shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë prokuroria lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marrë me këtë proces”, ka thënë Dreshaj.

Ndërkaq, nënkryetari i këtij komisioni hetimor Ardian Kastrati ka thënë se ka raste që edhe nga diaspora kanë marrë subvencione përmes platformës e-Kosova.

“Me këtë raport shkruhet që ka shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve. Ka keq-menaxhim dhe keqplanifikim dhe pasoja të mëdha. Në cilësinë e procesit mësimor vitin e kaluar ku madje ka përfunduar viti dhe shume nxënës nuk i kanë marrë librat deri në fund. Përveç kësaj është ndikuar edhe në transaksionet e ndryshme ku ka mundësi që dikush i ka marrë të hollat, që jeton jashtë shtetit për shkak se është në e-Kosova dhe nuk i ka fëmijët fare këtu në shkolle ose plot të tjerë nuk i kanë marrë të hollat nga subvencioni fare: kjo eshtë ndikuar edhe me transfer të linjave buxhetore siç është nga digjitalizimi që është cilësuar si shtylla e reformës në arsim. Mbi te gjitha janë dy pasoja kryesore të cilat për mua konsumojnë edhe elemente te veprës penale. E para është që në komisionin hetimor ata nuk kanë arritur të arsyetojnë se ku kanë mbetur 6 milionë euro diferencë. Nga 4 milionë të planifikuara ata i kanë harxhuar 11 milionë në vitin e kaluar”, ka theksuar Kastrati.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se një nga raportet kryesore që kanë kërkuar deputetët e komisionit ka qenë lista e përfituesve nga subvencionimi me tekste shkollore dhe sipas tyre as Nagavci e as Murati nuk e kanë dërguar një raport të tillë.

“Vetëvendosja ka filluar të bojkotojë punën e komisionit hetimor parlamentar momentin qe janë evidentuar shkelje ligjore në përdorim të buxhetit. Një prej raporteve kryesore te cilin ne e jemi kërkuar ja qenë lista e përfituesve nga subvencionimi me tekste shkollore dhe Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave asnjëherë nuk ka dorëzuar raport të tillë. Në listën e përfituesve sipas të dhënave të marrura nga qytetarët ka përfitues edhe jashtë vendit, kjo është keqpërdorim i buxhetit te Kosovës. Veç duhet me thënë diçka e me rrejt si janë mësu”, ka shtuar Haxhiu.

Ndërsa, deputeti Agim Veliu ka thënë se ky raport ka ndihmuar për të evidentuar shkeljet ligjore nga përdorimi i buxhetit të Kosovës për subvencionimin me tekstet shkollore.

Exit mobile version