UBT News

Opozita bojkoton seancën, kritikon Qeverinë për koeficientin

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë Kurti për caktimin e vlerës së koeficientit të pagave në 105 euro. Deputetë të Lidhjes Demokratike, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e kanë lëshuar seancën e Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se shprehin zhgënjimin e tyre për këtë koeficient për të cilin tha se është një koeficient i mjerimit dhe se sipas tij demotivon të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës.

“Si grup parlamentar kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje, sepse e thellon edhe më shumë krizën tonë”, tha Tahiri.

Pasi konfirmuan largimin e tyre, Konjufca kërkoi që ata të mos i marrin mëditjet, për çka Tahiri pranoi. Seancën e lëshuan edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kjo Qeveri që glorifikon krimin, që mbron korrupsionin e Martin Berishajt, që rrit tatimin ndaj qytetarëve dhe nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, nuk mund të presësh që të ketë zgjidhje për punëtorët e sektorit publik”, u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës prezantoi koeficientin për pagat. Hekuran Murati, ministër i Financave, tha se vitin e ardhshëm ky koeficient do të jetë 110.

Exit mobile version