Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të cilën e ka bojkotuar opozita, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila theksoi se seanca e re plenare do të mbahet të enjten më 5 maj në orën 10:00.
Në agjendën e seancës së re plenare përveç pikave të zakonshme për deklarim jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në rend dite është edhe votimi për dy kandidatë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, shqyrtimi në lexim të dytë për mbrojtjen e konkurrencës, shqyrtimi në lexim të parë i Projektligjit për pagën minimale dhe shkallën tatimore të të ardhurave personale vjetore.
Po ashtu në rend dite është shqyrtimi në parim i Projektligjit për rishikimin e buxhetit 2022. Po ashtu emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Në rend dite është edhe debati parlamentar për punën e Qeverisë së Kosovës në mandatin e parë të saj.
Ndërsa, sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është shqyrtuar edhe kërkesa e nënshkruar nga 41 deputetë të Vetëvendosjes për formimin e komisionit hetimor për vendimmarrje në sektorin e energjisë. Me kërkesë të shefes së këtij grupi të VV-së, është shtyrë për një seancë tjetër, derisa të arrihet një dakordim me partitë opozitare.