UBT News

Opozita: Antikushtetuese kërkesa e Kurtit për ndalimin e privatizimit

Kërkesa e kryeministri Albin Kurti për ndalimin e procesit të privatizimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka nxitur debat sot në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës. Derisa ndalimi i procesit të privatizimit nga ana e kryeministrit Albin Kurti u vlerësua nga deputetët e opozitës si antikushtetues.

Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se vetëm Kuvendi i Kosovës si ligjvënës mund ta ndalojë këtë proces, e jo Qeveria.

“Sa i përket vendimit apo letrës së kryeministrit, mendoj se është antikushtetuese, sepse një parlament ka votuar ligjet dhe vetëm ai që miraton ligjet mundet t’i shfuqizojë. Në asnjë mënyrë nuk ka guxuar kryeministri ta ndërpres ad-hoc AKP-në, veprimtarinë e AKP-së. Është ‘no comment’. Nuk kemi pasur ndërhyrje të tilla asnjëherë derisa nuk është kompetencë e Qeverisë”, theksoi Lekaj.

Lidhur më këtë deklaratë ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk është shkelje flagrante kërkesa e kryeministrit Kurti.

Deputetja Kusari-Lila tha se kryeministri në kërkesën publike ka kërkuar ndalje të aktivitetit, nuk ka kërkuar plotësim-ndryshim ligji, pasi sipas saj, ai ka parë që brenda AKP-së është shtuar aktiviteti i shitjeve, i likuidimit, i dhënies me qira që ka qenë në kundërshtim edhe me praktikat dhe ritmin e punës së tyre muaj më parë.

“Në momentin kur janë mbajtur zgjedhjet dhe në momentin kur është ditur fituesi, ka filluar aktiviteti çuditërisht shumë dinamik i AKP-së. Tash në raport me këtë kërkesë të kryeministrit krahasuar me kohën kur ju keni qenë në qeveri dhe kryeministër ka qenë Haradinaj, ka pasur presion të vazhdueshëm për gjashtë muaj, presion jo publik, presion drejtpërdrejt në ish-menaxhmentin, është shkarkuar drejtori, është shtyrë të jep dorëheqje, është vendosur në vend të tij ish-sekretari i partisë tuaj si drejtor menaxhues. Është votuar bordi këtu, edhe ju po më thoni është shkelje flagrante. Mos të lutna Pal”, theksoi Kusari Lila.

Ndërsa, kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se Qeveria nuk mund ta ndalë privatizimin në mënyrë arbitrare. Edhe Shala potencoi se vetëm kuvendi mund të bëjë ndryshime për AKP-në.

“Nuk mundet ekzekutivi në mënyrë arbitrare pa e kaluar këtë vijë (kuvendin) ku mund ta debatojmë dhe ku mund t’i ftojmë ata, dhe t’i themi stop. Por në mënyrë legale, ligjore dhe procedurale, këtë e kemi shqetësim. Ta ftojmë bordin e AKP-së në javën e ardhshme në një takim për t’u sqaruar për të gjithë hapat dhe ku ka mbetur procesi i privatizimit, si dhe sfidat me të cilat ata po ballafaqohen”, tha Shala.

Komisioni vendosi që për mbledhjen e ardhshme ta ftojë në raportim Bordin dhe drejtorin e AKP-së.

Exit mobile version