Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën është zhvilluar një operacion policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.
“Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.
Konfirmohet se gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:
• 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;
• Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;
• 11,065 euro para të gatshme;
• 34 automjete;
• Shtatë (7) armë zjarri;
• Dokumente personale me identitet të rremë;
• Pajisje elektronike;
• Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.
Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar./D.B/KP