Policia e Kosovës ka realizuar operacionin e koduar “Muzgu” në fshatin Kqiq i Madh në Mitrovicë, gjatë të cilit janë kontrolluar një shtëpi dhe një lokal në pronësi të një të dyshuari.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 110.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një revole M57 me dy karikatorë, një pushkë gjuetie, 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër fishekë për pushkë gjuetie, një peshore digjitale, 150 euro, 6 mijë dinarë serbë, dy radiolidhje dhe një shufër metalike me mbishkrimin “POLIC”.
I dyshuari nuk është gjetur në lokacion gjatë kontrollit, por më vonë është paraqitur në zyrat e Policisë në prani të avokatit mbrojtës.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale që lidhen me narkotikët dhe armëmbajtjen e paautorizuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/
