UBT News

OpenAI raportoi në FBI 25-vjeçarin që kërcënoi ish-të dashurën me vrasje

OpenAI ka raportuar në FBI një 25-vjeçar nga Florida, pasi ai dyshohet se përdori ChatGPT për të shkruar plane të hollësishme për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës së tij.

Sipas hetuesve, Darren Zhou kishte nisur të përdorte ChatGPT në mars për të diskutuar ndarjen nga partnerja e tij, por bisedat më vonë u shndërruan në kërcënime serioze. Ai dyshohet se shprehu xhelozi ndaj personave që rrethonin ish-të dashurën dhe shkroi se do ta vriste atë deri në fund të muajit.

Kërcënimet dyshohet se u zgjeruan edhe ndaj familjes së 21-vjeçares. Ish-partnerja e Zhou kishte deklaruar se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së tij të çrregullt, xheloze dhe kontrolluese. Pas ndarjes, ajo tha se ai e kishte përndjekur përmes telefonatave, mesazheve dhe komunikimeve kërcënuese në rrjetet sociale.

OpenAI u dha autoriteteve informacionin për bisedat, pasi kompania lejon shqyrtimin e komunikimeve dhe njoftimin e institucioneve kur identifikohet një rrezik serioz ndaj personave të tjerë. Në maj, FBI-ja ia dorëzoi Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach bisedat e Zhou-s për një periudhë prej dy muajsh.

Një efektiv i përfshirë në rast vlerësoi se mesazhet nuk përbënin thjesht shpërthime emocionale, por tregonin një model të planifikimit.

Zhou u arrestua në maj dhe u lirua dy ditë më vonë kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh. Ai u akuzua për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular.

Më 13 gusht, Zhou u deklarua fajtor për të tria akuzat dhe arriti një marrëveshje që e shmangu burgimin. Gjykata e dënoi me tetë vjet mbikëqyrje nga shërbimi i provës, si dhe i vendosi një sërë kufizimesh./A.K/

Exit mobile version