OpenAI dhe drejtori ekzekutiv Sam Altman po synojnë ta shndërrojnë ChatGPT nga një mjet bisedor në një asistent digjital të avancuar, që mund të përdorë aplikacione të tjera në emër të përdoruesit, shkruan Mashable.
Kompania ka njoftuar një iniciativë të re për krijimin e “gjeneratës së re të aplikacioneve në ChatGPT”, që u mundëson përdoruesve të lidhen dhe të bashkëveprojnë drejtpërdrejt me shërbimet e palëve të treta brenda vetë chatbot-it.
Kjo u prezantua gjatë Ditës së Zhvilluesve të OpenAI, ku u shfaqën disa demo praktike që treguan si funksionon integrimi në aplikacione.
Në një shembull, ChatGPT u lidh me Spotify për të krijuar automatikisht një listë dëgjimi bazuar në këngët e preferuara të përdoruesit.
Një tjetër demonstrim tregoi integrimin me Canva, ku një inxhinier i OpenAI kërkoi të hartonte një poster për një biznes që shëtiste qentë.
Pas përshkrimit të stilit “të çuditshëm dhe të ndritshëm me font sans-serif”, ChatGPT gjeneroi disa versione të posterit përmes Canva.
Sistemi kërkon leje herën e parë që lidhet me aplikacion, më pas mund ta përdorë lirisht në bisedat e ardhshme. OpenAI prezantoi integrime arsimore dhe të pasurive të paluajtshme, si krijimi i një plani mësimor përmes Coursera apo kërkimi i shtëpive në Zillow.
Nga sot, përdoruesit mund të lidhen me aplikacione si Spotify, Canva, Booking.com, Expedia, Coursera, Zillow dhe Figma. Altman ka paralajmëruar se së shpejti do të shtohen edhe integrime të tjera, përfshirë DoorDash dhe Uber.
Në të ardhmen e afërt, zhvilluesit kanë mundësinë të paraqesin dhe publikojnë aplikacionet e tyre brenda ChatGPT, ndërsa kompania po përgatit edhe një drejtori të dedikuar të aplikacioneve për instalim dhe zbulim më të lehtë.
Sa i përket monetizimit, detajet ndahen më vonë, nisma shënon hap të madh drejt vizionit të OpenAI për inteligjencën artificiale agjentike, sidomos pas prezantimit të Instant Checkout, që u mundëson përdoruesve të kryejnë blerje direkte brenda chat-it. /A.Z/UBT News/