Më 8 dhjetor, Olaf Scholz do të zgjidhet kancelar i Gjermanisë dhe do të udhëheqë një koalicion të qendrës së majtë, teksa Angela Merkel po tërhiqet nga politika.
Scholz 63 vjeç, do të zgjidhet kancelar me mandat katërvjeçar nga Bundestagu dhe më pas do të betohet para presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Kancelari i ri i Gjermanisë udhëhoqi Socialdemokratët (SPD) drejt fitores në zgjedhjet e 26 shtatorit, duke dërguar në opozitë, për herë të parë pas 16 vjetësh, Demokristianët e Merkelit.
Gjatë kohës sa Merkel ishte kancelare, Scholz ka shërbyer në kabinetin e saj në postin e ministrit të Financave dhe atë të zëvendëskancelarit.
Merkle, 67 vjeçe nuk garoi në zgjedhjet e fundit dhe po tërhiqet nga politika pas katër mandateve radhazi si kancelare e Gjermanisë.
Koalicioni qeverisës do të përbëhet nga SPD-ja, ambientalistët e Gjelbër dhe partia pro-biznesit, Demokratët e Lirë.
Pavarësisht dallimeve ideologjike dhe politike, qeveria e re ka për qëllim ka përshpejtojë digjitalizimin, të bëjë ekonominë e gjelbër, të adresojë çështjen e çmimeve të papërballueshme të banimit, të heqë pagën minimale dhe të legalizojë marijuanën.
Qeveria po ashtu planifikon të rishikojë ligjet e migracionit dhe shtetësisë, duke lejuar shtetësinë e dyfishtë dhe për të thjeshtuar procesin e marrjes së pasaportës gjermane. Për më tepër, azilkërkuesit që do të integrohen në shoqëri do t’u jepet mundësia që të qëndrojnë përgjithmonë në Gjermani dhe bashkimi familjar për refugjatët do të zgjerohet.
Sipas marrëveshjes, partnerët e koalicionit planifikojnë që të vendosin deri më 2023 rregullin që Gjermania të mos krijojë borxhe të reja.
Lufta kundër pandemisë pritet të dominojë ditët e para të qeverisë, teksa infektimet e reja janë rritur.
“Ne duhet të ja nisim nga e para teksa do të përballemi me pandeminë – këto janë rrethanat me të cilat do të përballet qeveria e re”, tha Scholz më 6 dhjetor.
Ai mbështet bërjen e detyrueshme të vaksinimit për të gjithë gjermanët prej shkurtit të vitit të ardhshëm, nëse ky ligj kalon në Bundestag. Aktualisht, 68.5 për qind e popullsisë në Gjermani janë të vaksinuar plotësisht./REL