Zyrtarët e OKB-së për të drejtat e njeriut kanë dënuar shtypjen e dhunshme të protestave antiqeveritare nga Irani duke e cilësuar shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe u bëjnë thirrje zyrtarëve iranianë që t’i japin fund goditjes vdekjeprurëse kundër protestuesve paqësorë.
Ka kaluar një muaj qëkur nisën protestat mbarëkombëtare kundër qeverisë iraniane pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim. Amini u arrestua nga e ashtuquajtura policia e moralit për mosmbajtje të hixhabit dhe vdiq tri ditë më vonë më 16 shtator ndërsa po mbahej në paraburgim nga policia.
Zyrtarët e OKB-së për të drejtat e njeriut thonë se janë të alarmuar nga reagimi i dhunshëm i forcave të sigurisë kundër protestuesve dhe se raportet për arrestime arbitrare dhe vrasje e ndalime të fëmijëve janë thellësisht shqetësuese.
Zëdhënësja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Ravina Shamdasani tha se rreth 23 fëmijë raportohet se janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur nga forcat e sigurisë që përdorën municion të vërtetë, fishekë metalikë dhe i rrahën ata. Sipas saj, edhe shkollat janë bastisur dhe fëmijët janë arrestuar nga forcat e sigurisë.
“Sipas traktateve të të drejtave të njeriut të pranuara nga Irani, Republika Islamike detyrohet të mbrojë të drejtën e fëmijëve për jetë në çdo rrethanë dhe të respektojë dhe mbrojë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe protestën paqësore”, tha Shamdasani.
“Së bashku me arrestimet masive të protestuesve, zyra jonë ka marrë gjithashtu raporte për arrestimin e të paktën 90 anëtarëve të shoqërisë civile, përfshirë mbrojtës të të drejtave të njeriut, avokatë, artistë dhe gazetarë”, deklaroi ajo tutje.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se përdorimi i vazhdueshëm i panevojshëm dhe joproporcional i forcës kundër protestuesve duhet të ndalet. Ajo gjithashtu bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve në mënyrë arbitrare./UBTNews/