Dhuna e bandave në Haiti ka zhvendosur më shumë se 300 mijë fëmijë që nga muaji mars, njoftoi të martën Agjencia e Fëmijëve e OKB-së. Njoftimi u bë i ditur në periudhën kur vendi po lufton për të frenuar vrasjet dhe rrëmbimet.
Fëmijët përbëjnë gjysmën e rreth 580 mijë njerëzve që kanë mbetur të pastrehë në katër muajt e fundit. Rritja e dhunës filloi në fund të shkurtit, pas një serie sulmesh në infrastrukturën qeveritare që çuan në dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry.
“Katastrofa humanitare që po shpaloset para syve tanë ka pasoja shkatërruese për fëmijët”, tha në një deklaratë Catherine Russell, drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it. “Fëmijët e zhvendosur kanë nevojë të menjëhershme për një mjedis të sigurt dhe mbrojtës, si dhe mbështetje dhe financim të shtuar nga komuniteti ndërkombëtar”.
Bandat tani kontrollojnë të paktën 80% të kryeqytetit Port-au-Prince dhe rrugët kryesore që të çojnë brenda dhe jashtë tij, me më shumë se 2 mijë e 500 njerëz të vrarë ose të plagosur në të gjithë vendin në tre muajt e parë të vitit./UBTNews/