Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e presidentit të SHBA, Donald Trump, për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv që autorizon sanksione ekonomike të ashpra kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJPN).
“Na vjen shumë keq për sanksionet individuale të shpallura ndaj personelit të GJPN-së dhe bëjmë thirrje që kjo masë të anulohet,” deklaroi zëdhënësja e Zyrës për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Ravina Shamdasani, sipas raportimeve të Agence France-Presse (AFP).
“Gjykata dënon vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të saj, duke përpjekur të dëmtojë punën e saj të pavarur dhe të paanshme,” u shpreh Gjykata në një deklaratë.
“Gjykata mbështet plotësisht stafin e saj dhe është e përkushtuar të vazhdojë të ofrojë drejtësi dhe të rikthejë shpresën për miliona viktima të pafajshme të mizorive në mbarë botën, sa herë që është e nevojshme,” thuhet në deklaratën e GJPN-së.
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të vendosur sanksione ndaj GJPN-së, të cilën ai e akuzon për “veprime të paligjshme dhe të pabaza kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatit tonë Izraelit”.
Si pjesë e sanksioneve, zyrtarëve të GJPN-së dhe punonjësve të tjerë u ndalohet hyrja në SHBA, gjithashtu ndalohen dhe anëtarët e familjeve të tyre të ngushta si dhe kushdo që mendohet se ka bashkëpunuar me hetimet e Gjykatës. Pasuritë e tyre në SHBA gjithashtu do të ngrihen.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sha’ar, ka “përgëzuar” vendimin e Trump, duke shtuar se ata bëjnë thirrje që 125 shtetet anëtare të bashkohen në mbështetje të drejtësisë dhe të drejtat themelore të njeriut.