UBT News

OKB sot do të debatojë për aneksimet ruse në Ukrainë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të hapë të hënën debatin mbi një projekt-rezolutë që dënon aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, teksa fuqitë perëndimore kërkojnë të nënvizojnë izolimin ndërkombëtar të Moskës.

Vendimi për ta çuar çështjen përpara Asamblesë së Përgjithshme, ku 193 anëtarët e OKB-së kanë një votë secili — dhe askush nuk ka të drejtën e vetos — u mor pasi Rusia përdori veton e saj në një takim të Këshillit të Sigurimit më 30 shtator për të bllokuar një propozim të ngjashëm.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Olof Skoog, i cili, si ambasador i BE-së në organizmin botëror, hartoi tekstin në bashkëpunim me Ukrainën dhe vende të tjera.

“Në qoftë se sistemi i OKB-së dhe komuniteti ndërkombëtar përmes Asamblesë së Përgjithshme nuk reagojnë ndaj kësaj lloj përpjekjeje të paligjshme, atëherë do të ishim në një vend shumë, shumë të keq”, u tha gazetarëve diplomati suedez.

Një dështim i Asamblesë së Përgjithshme për të vepruar – votimi nuk pritet para të mërkurës – do t’u jepte “vendeve të tjera të drejtë të bëjnë të njëjtën gjë ose të njohin atë që ka bërë Rusia”, shtoi ai./UBTNews/

Exit mobile version