Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres premtoi dje mbështetje për Ukrainën, e cila u sulmua më shumë se tre vjet më parë nga Rusia, në një përpjekje të mundshme rindërtimi.
“Gjatë një bisede me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, në Konferencën e katërt të OKB-së për Financimin e Zhvillimit në Sevilje, në jug të Spanjës, shefi i OKB-së theksoi angazhimin e Kombeve të Bashkuara për të mbështetur përpjekjet e qeverisë ukrainase për të adresuar nevojat humanitare, të rindërtimit dhe të rimëkëmbjes”, tha zëdhënësi i tij.
Guterres gjithashtu theksoi rëndësinë e arritjes së një armëpushimi të plotë, të menjëhershëm dhe pa kushte në Ukrainë.
Ai tha se ky do të ishte një hap i parë drejt një paqeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që respekton plotësisht Kartën e OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme. /atsh