Të paktën një çerek i popullsisë së Gazës – 576 mijë persona – janë një hap larg urisë, ndonëse edhe pjesa tjetër e popullatës ka nevojë të madhe për ushqim dhe për pasojë disa kamionë me ndihma janë plaçkitur prej njerëzve të uritur, kanë thënë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara.
Punonjës të zyrës së OKB-së për Ndihma kanë thënë se situata në Gazën me 2.3 milionë banorë është shumë e zymtë dhe ka mundësi që situata të përkeqësohet edhe më shumë.
Ai ka thënë se përveç çerekut të popullatës që përballet me uri, një në gjashtë fëmijë nën moshën dyvjeçare në veri të Gazës, janë duke u përballur me “kequshqyerje akute”, dhe trupi i tyre po dobësohet.
Carl Skau, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, ka thënë se ky është “niveli më i keq i kequshqyerjes në gjithë botën”.
Ai ka paralajmëruar që “nëse asgjë nuk ndryshon, uria është e pashmangshme në veri të Gazës” – shënjestra e parë në kuadër të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazë, pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar, duke i vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz, dhe duke i marrë 240 pengje.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Si shembull të prishjes së rendit civil, Skau e ka përmendur se organizata që drejton ai ka rinisur dërgimin e ndihmave në veri të Gazës tre javë më parë.
Mirëpo ai ka thënë se përgjatë rrugës, kamionët janë sulmuar me armë zjarri dhe janë plaçkitur.
“Në destinacion ata po shohin njerëzit jashtëzakonisht të uritur”, ka thënë ai.
Për këtë arsye, Skau ka thënë se Programi Botëror i Ushqimit e ka pezulluar ndihmën atje, derisa të ketë kushte për operim të stafit.
Zëvendësambasadori izraelit në OKB, Brett Miller, ka thënë se ndonëse ushtria e vendit të tij është duke e luftuar Hamasin, Izraeli po bën “gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët”, dhe është duke punuar vazhdimisht me organizata të ndihmës.
Ai e ka akuzuar OKB-në që po refuzon të dërgojë ndihmë në veri të Gazës, si dhe disa zyrtarë të OKB-së, që sipas tij, po tentojnë të fajësinë Izraelin për situatën e krijuar
Prej nisjes së ofensivës në Gazë, besohet se janë vrarë rreth 30 mijë palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL